Evra: Guardiola nuk stërvit dot lojtarë me personalitet, te Man City shkojnë vetëm për paratë

Manchester City është shumë pranë triumfit në Premier League teksa kur kanë mbetur edhe tre ndeshje për t’u luajtur, The Citizens udhëheqin me tre pikë diferencë nga Liverpooli i vendit të dytë.

Megjithatë, festa mund të mos jetë shumë entuziaste duke qenë se objektivi i parë për skuadrën e Pep Guardiolës në këtë sezon ishte Champions League.

Por, City u eliminua në gjysmëfinale ndaj Real Madrid duke pësuar një përmbysje historike në Bernabeu ndërsa dështimi në Europë ka rikthyer edhe njëherë dyshimet mbi Guardiolën i cili nuk gëzon në kompeticionin më të rëndësishëm europian prej momentit kur është larguar nga Barcelona, edhe pse ka pasur në dispozicion yje të shumtë si te City ashtu edhe te Bayern Munich.

Ndërkohë, goditjen e radhës, Gurdiola e ka marrë nga Patrice Evra me ish-mbrojtësin e United që mendon se spanjolli nuk mund të trajnojë lojtarë me personalitet ndërsa shtoi se futbollistët transferohen te City me të vetmin qëllim, paratë.

“Manchester City ka nevojë për lider, por Guardiola nuk i preferon liderët. Ai nuk i do lojtarët me personalitet dhe kërkon të jetë vetë lideri. Kjo është arsyeja pse kur skuadra është në vështirësi, në fushë nuk është askush që mund t’i nxjerrë nga telashet. Kjo është mënyra që Guardiola ka zgjedhur, e ka bërë këtë edhe te Barcelona. Ai ndërton një skuadër në të cilën ka kontroll të plotë”, u shpreh Evra.


Shtuar 10.05.2022 12:31