Basha nxjerr grafikët, Rama i thotë Spiropalit “boll me këtë!”

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka renditur një sërë akuzash ndaj qeverisë lidhur me koncesionet e dhëna gjatë qeverisjes së të majtës, ndërsa mbrojti koncesionin e skanimit të kontejnerëve të dhënë gjatë qeverisjes së demokratëve.

Basha the se Ramës nuk i shkon në mendje të heqë Check up-in apo traun e Rrugës së Kombit, por është fiksuar për të hequr koncesionin e skanerit pasi sipas tij ai skaner kap se si futet droga dhe paratë e drogës së grupeve kriminale shqiptare në Europë.

“Ti e ke mendjen të heqësh skanerin, sepse ai skaner kap se si bashkëpunëtorët e tu fusin kokainë në Shqipëri. Ai skaner kap se kush fut para, tani me kile, jo me miliona në Shqipëri”, tha Basha.

Ndërkohë që Basha mbante fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Rama i kërkoi të dhëna Elisa Spiropalit dhe Arben Ahmetajt në lidhje me buxhetin. Në një moment, Rama i thotë  Spiropalit “boll me këtë” duke i kërkuar gjithashtu Bashës që të kthehej nga deputetët kur fliste dhe jo nga ai.

“Ktheu andej, jo nga unë”, tha Rama, ndërsa vijoi duke thënë “Hej Zot..”.

Basha iu përgjigj se nuk kishte Zot që do ta mbronte atë nga irritimi i shqiptarëve dhe drejtësia.

“S’ka Zot që të shpëton ty…dhe mos bëj ncncnc aty mbrapa..”, tha Basha.


Shtuar 15.11.2021 12:25