“Shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj”, 15 vite pa mbretëreshën e komedisë shqiptare

Violeta Manushi mbetet një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës, aktive për mëse 55 vjet. Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”.

Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit, më vitin 1946, ku u shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt.

Violeta Manushi iku, 15 vite më parë, më 26 korrik 2007 duke lënë gjurmë të pashlyera në radhët e korifejve të artit skenik shqiptar, në radhët e atyre që vunë themelet e godinës së aktrimit teatror dhe filmik. Në atë kohë Luftar Paja për Violeta Manushin do të thoshte mes të tjerash: “Ajo për këtë teatër ka sakrifikuar jetën, duke luftuar me penë dhe djersë për të mposhtur konceptet e asaj kohe. Ajo ishte këmbëngulëse në rolet që bënte. Ka qenë një njeri i respektueshëm në klimën artistike që sot me keqardhje mund të them se çalon. Artistët si ajo ishin të rrallë.

Dritëro Agolli do të mëtonte kësisoj për aktoren: “Shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj. Artistja e Popullit Violeta Manushi, mbetet një nga kalorëset më fisnike të skenës, që bashkë me brezin e saj, hodhën themelet e Teatrit Kombëtar dhe vendosën bazamentin e dashurisë për teatrin tek njerëzit. Në këto themele, bashkë me teatrin, Violeta Manushi, ndërtoi edhe shtëpinë e saj.

Për atë, teatri dhe shtëpia ishin një. Ajo nuk u martua, nuk bëri fëmijë, vatra e saj ishte skena dhe rolet, ishin fëmijët e saj. Këta ishin shumë, të vegjël, të rinj, të moshuar, të mençur, shakatarë e seriozë. Atyre u dha frymën e saj, shpirtin dhe mendjen, u dha karakterin kombëtar dhe popullor, veset dhe virtytet, zemërimin dhe trishtimin, prandaj, këto personazhe të krijuara prej saj, u bënë thellësisht popullore, bashkë me të.

Shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre.

Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977.

Disa prej roleve që ka interpretuar “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi.

Teatër:

“Qypi me flori”
“Epopeja e Ballit Kombëtar”
“Dom Gjoni”
“Pas vdekjes”
“Halili dhe Hajria”
“Tartufi”
“Mikroborgjezët”
“Rrënjët e thella”
“Orët e Kremlinit”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Morali i zonjës Dulska”
“Arturo Ui”
“Lumi i vdekur”
“Karnavalet e Korçës”
“Zonja nga qyteti”
“14 vjeç dhëndër”
“Epoka para gjyqit”
“Borgjezi fisnik”
“Fytyra e dytë”
“Pallati 176”
“Valsi i titanikut”
“Kati i gjashtë”, etj. etj.

Filma:

1958: “Tana” – Ngjela
1961: “Debatik” – (E shoqja e tregëtarit)
1965: “Vitet e para” – (Lonevica)
1969: “Përse bie kjo daulle” – (Banakierja)
1969: “Plagë të vjetra” – (Nëna e Verës)
1970: “Gjurma” – (Vjehrra e Artanit)
1973: “Mimoza llastica” – (Gjyshja)
1975: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – (Plaka Nice)
1976: “Zonja nga qyteti” – (Teto Ollga)
1977: “Zëmra që nuk plaken” – (E shoqja e Azemit)
1979: “Përtej mureve të gurta” – (Gjyshja e Asimesë)
1980: “Një shoqe nga fshati” – (Teto Ollga)
1982: “Një vonesë e vogël” – (Nëna)
1984: “Taulanti kërkon një motër” – (Tezja)
1986: “Rrethimi i vogël” – (Frosa)
1987: “Eja” – (Ruzhdia)
1987: “Telefoni i një mëngjesi” – (Banakierja)
2005: “Trishtimi i zonjës Shnajder” – (Banakierja)