“Von der Leyen nuk solli vetëm fjalë të mira”, Rama: Samiti i radhës i Berlinit do të mbahet në Tiranë, ndiejmë që nuk jemi vetëm

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në procesin e samitit të Berlinit ka konfirmuar se samiti i radhës do të mbahet në Tiranë

Po ashtu ai është shprehur i lumtur në lidhje me nënshkrimin e 3 marrëveshjeve mes liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Edi Rama:

Do të shfrytëzojmë çdo lloj mundësie që të jemi sa më pranë. Të gjithë nga rajoni ishin të kënaqur që ishin këtu sot. 8 vite pasi nisi procesi i Berlinit. Angela Merkel kishte të drejtë kur tha se nëse kemi një Ballkan të bashkuar, sekreti publik është procesi i Berlinit. Kur erdhëm për të herë të parë nuk ishim takuar për shekuj, kurse tani është ndryshe.

Falenderoj Scholz për mikpritjen dhe bukën e shkëlqyer gjermane. Por edhe që më besoi se samiti i ardhshëm i Berlinit do të jetë në Tiranë. Tani do të shohim ecurinë në një samit tjetër. E ndjejmë që nuk jemi lënë mënjanë dhe nuk jemi vetëm. Pak ditë më parë, Von der Leyen. Nuk solli me vete vetëm fjalë të bukura, por mbështetje të rëndësishme financiare për ta filluar dhe që nuk është e fundit. është dhe ka lidhje me një ndërlidhje të rajonit me Europën dhe të Europës me rajonin. Sot ne po përballemi me sigurinë kibernetike.

Duam t’i shohim gjërat që ecin në drejtimin e duhur.

Në Samitin e Procesit të Berlinit 2022 u nënshkruan sot, tre marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut; Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe Serbisë, përkatësisht:

–Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor

–Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor

–Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore, – të cilat do t’i shërbejnë forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal.

Procesi i Berlinit u krijua në 2014 si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel. Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit. Fusha të tjera të veprimit në kuadër të tij janë: zgjidhja e çështjeve të brendshme dhe dypalëshe, si dhe pajtimi mes shoqërive të rajonit. Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën