Buxheti 2023, Berisha: Kjo është një fatkeqësi, po çon drejt falimentit ekonominë shqiptare

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar e ka cilësuar projektbuxhetin si një fatkeqësi të radhës për shqiptarët.

Ai theksoi se ky buxhet çon një hap përpara falimentimin e ekonomisë shqiptare.

“Për çdo vend debati më i rëndësishëm është debati për buxhetin, por për Shqipërinë kjo nuk ndodh, për dy arsye. Arsyeja e parë është se buxheti është i vjedhur para se të votohet. Gjithçka në zëra është falsitet, pasi siç kanë faktuar zhvillimet dhe në mënyrë të veçantë KLSH, ai vidhet në masën më të madhe të tij. Ju jeni dëshmitarë se si në 7 vite sipas KLSH-së kanë vjedhur nga Rama dhe ministrat e tij 8.2 miliardë euro. Ju garantoj se ky buxhet është një fatkeqësi e re tjetër, sepse prapa çdo zëri të madh qëndron një vjedhje e madhe. Këta nuk kanë të ndalur, por vjedhja me buxhetin është vjedhje e dyfishtë, pasi vidhen fondet dhe shpërdorohen nga zyrtarët. Shqiptarët nga taksat e tyre shohin në vitin e nëntë pas nëntë buxheteve, shohin punë publike absolutisht më të pakëta se sa të një viti buxhetor. Por nëse shohin punë publike më të pakëta se një vit buxhetor, një barrë e tmerrshme rëndon mbi shqiptarët5, borxhi që qeveria mbledh për buxhetin, Edi Rama po shkatërron si një fuqi e të keqes të ardhmen e këtij kombi, së pari me largimin masiv të të rinjve shqiptarë, së dyti me borxhin e tmerrshëm që ju vendos shqiptarëve. Pas 20 vitesh çdo fëmijë që lind në Shqipëri do të jetë me një borxh prej 21 mijë eurosh. Në këtë kontekst ky buxhet shënon një rritje tjetër të borxhit publik, shënon një hap tjetër të falimentimit të Shqipërisë”, tha Berisha.


Shtuar 8.11.2022 14:33