Vizioni alternativ i Xi Jinping mbi rendin botëror aktual

Nga Isabel Hilton “The New European”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Marsi ishte një muaj shumë i ngarkuar për udhëheqësit e Kinës, pasi ata u angazhuan në një ripërtëritje të aktivitetit diplomatik ndërkombëtar dhe të ecurisë së ekonomisë kineze, e cila është aktualisht e  dobët pas 3 vitesh izolimi pandemik të vetë-imponuar.

Pekini ka zbuluar me sa duket një entuziazëm të ri për investimet e huaja, të cilat ai shpreson se mund të ndihmojë në rimëkëmbjen e tij ekonomike.

Ky ndryshim i sjelljes u bë fillimisht i dukshëm në dy takime vjetore. I pari ishte Kongresi Kombëtar Popullor – teorikisht organi më i lartë politik i Kinës – dhe i dyti Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez (CPPÇ), e përbërë nga rreth 2000 delegatë nga segmente të ndryshme të shoqërisë kineze.

Këto dy organe miratojnë vendime, të cilat janë miratuar tashmë në mbledhjet e mëparshme të Partisë Komuniste, dhe që këtë vit përfshinin një qarkullim të rëndësishëm të zyrtarëve të nivelit të lartë. Ajo ishte ngjarja politike më e madhe që nga ndryshimi i papritur i politikës së “Zero-Covid” nga Xi Jinping dhjetorin e vitit të kaluar, por edhe një rast që ekipi i ri i Xi të shpallte politikat e tij për vitin e ardhshëm.

Mesazhi ishte i qartë:pas ndikimit negativ të pandemisë, Kina ishte e hapur për biznes. Zakonisht Pekini i shijon këto tubime të nivelit të lartë. Ndaj gjatë muajit të kaluar pati edhe dy të tjera, në të cilat u përsërit sërish fokusi ri pro-biznesit.

Një prej tyre ishte Forumi i Zhvillimit të Kinës (CDF), një aktivitet që Pekini e konsideron si një ”forum të nivelit të lartë, i cili shërben si një platformë e rëndësishme për qeverinë kineze, bizneset globale, akademinë dhe organizatat ndërkombëtare”.

Njëqind pjesëmarrës të huaj morën pjesë në këtë takim, përfshirë shefin ekzekutiv të Apple, Tim Cooke dhe kreun e Pfizer, Albert Bourla. Ata dëgjuan kryeministrin e ri, Li Qiang, duke folur mbi temën zyrtare “Rimëkëmbja ekonomike:Mundësitë dhe bashkëpunimi”.

Po ashtu, zyrtarët kinezë organizuan seanca të veçanta diskutimi për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme rreth zinxhirëve të furnizimit, kërkesës së brendshme, reformës fiskale dhe tatimore, dhe hapjes së nivelit të lartë të diktuar nga lart. Media shtetërore e Kinës raportoi për një forum të mbushur me besim dhe optimizëm.

Me të njëjtën frymë u përshkrua edhe ngjarja e tretë e rëndësishme e muajit të kaluar, Forumi Boao, i mbajtur në ishullin tropikal Hainan. Ky forum u formua pas krizës financiare aziatike 20 vite më parë, dhe ai cilësohet shpeshherë si versioni kinez Forumit të Davosit.

Këtë vit ai tërhoqi më pak udhëheqës politikë, si kryeministrat e Spanjës dhe Malajzisë, së bashku me kreun e FMN-së, të cilët sipas mediave shtetërore kineze, ishin të emocionuar kur panë një rikthim në Kinë të aktivitetit ekonomik normal.

Por pavarësisht propagandës zyrtare, jo shumë drejtues të lartë amerikanë morën pjesë në këto 2 aktivitete, dhe kjo sepse tensionet gjeopolitike që kanë filluar të riformësojnë globalizimin, po hedhin hijen e tyre mbi këto forume.

Ndërsa Kina thoshte se ishte e hapur për biznes dhe e ardhmja ishte e ndritur, shumë drejtues të SHBA-së po kujtonin problemet e 3 viteve të fundit të zinxhirëve të ndërprerë të furnizimit dhe armiqësisë politike, dhe po ndiqnin deklaratat nervoze që vijnë nga Kongresi i kontrolluar nga republikanët, të cilët kanë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës.

Edhe aktivitetet e tjera të Xi Jinping ndikuan shumë pak për të ndërtuar besimin:udhëtimi i tij i parë i madh i këtij viti ishte më 20 mars në Moskë. Xi nuk tregoi asnjë shenjë pendese për miqësinë e pakufishme që ai dhe Vladimir Putin, i sapo-paditur për krime lufte nga Gjykata e Hagës, kishin shpallur një vit më parë.

Pas Covid-19 do të kishte qenë shumë e vështirë tërheqja e biznesit të huaj në Kinë. Dhe në fakt peizazhi i sotëm – një ekonomi e lëkundur kineze, dhe një recesion global i kërcënuar dhe një luftë në shkallë të plotë agresioni në Evropë – ka pak ngjashmëri me entuziazmin e biznesit që u përpoqën të përshkruanin mediat kineze.

Sepse vështirë se investitorët mund t’i ketë harruar trazirat në Foxconn në Zhengzhou, fabrikën më të madhe të iPhone në Kinë, vetëm 4 muaj më parë, kur punëtorët protestuan kundër masave të ashpra të bllokimit anti-Covid. Po ashtu investitorët e huaj ishin trembur nga një seri goditjesh të papritura të qeverisë kineze ndaj gjithçkaje, nga sektori i teknologjisë deri te shkollimi privat.

Pavarësisht 700 miliardë dollarëve në tregtinë mes SHBA-së dhe Kinës në vitin 2022, dhe në kontrast me optimizmin e zyrtarëve kinezë, homologët e tyre në BE dhe SHBA kanë diskutuar se si mund të reduktojnë varësinë e tyre nga Kina në zonat që tanimë konsiderohen të ndjeshme për sigurinë kombëtare.

Kështu ndërsa Li Qiang po fliste për rreziqet e proteksionizmit dhe shkëputjes ekonomike, Japonia po vendoste kontrolle të reja në tregtinë e saj me Kinën, SHBA-ja po zgjeronte ndalimin e saj për eksportet e mikroçipëve të avancuar në Kinë, ndërsa presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, po deklaronte se BE-ja duhej të ri-dimensiononte marrëdhëniet e saj me Kinën.

Asnjëra nga këto nuk është lajm i mirë për Xi Jinping. Xi e ka konsoliduar pushtetin e tij personal, dhe po ushtron kontrollin e partisë në të gjitha aspektet e ekonomisë vendase. Por demokracitë liberale perëndimore janë gjithnjë e më të frikësuara se projekti i tij është i pabesueshëm, dhe se versioni i tij i globalizimit mund të mos jetë aq tërheqës.

Lulëzimit të gjatë ekonomik të Kinës – një element kyç i partisë dhe popullaritetit të qeverisë – po i vjen fundi. Sfida për Xi Jinping – e një rëndësie globale – është se si do të balancojë politikën e tij autoritare të brendshme dhe sjelljen gjeopolitike agresive me nevojat e menjëhershme të ekonomisë së Kinës, e cila po përjeton aktualisht rritjen e saj ekonomike më të ulët ndër dekada. Përgjigja ndaj kësaj sfide do të ndikojë gjithashtu edhe tek se sa larg po shkon por edhe sa po shpejt epoka e globalizimit, themeli i 4 dekadave të rritjes së shpejtë ekonomike të Kinës.

Marrë me shkurtime

/AlbEu.com


Shtuar 17.04.2023 12:40