U shoqërua në polici, çfarë di Indrit Dokle për zhdukjen e Ervis Martinajt?

Indrit Dokle është shoqëruar këtë të shtunë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Dyshohet se Dokle është shoqëruar pasi po lëvizte me një person të shpallur në kërkim dhe për këtë po merret në pyetje. Dokle njihet për armiqësinë e tij me Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur që prej muajit gusht, ndërsa ende nuk duhet ashjë në lidhje me fatin e tij. Ervis Martinaj ishte gati të jepte një shifër prej 500 mijë euro për eliminimin e Indrit Dokles.

Ndërsa grupi hetimor kërkon të gjejë shtigje të reja drejt zbardhjes të së vërtetës për zhdukjen e Ervis Martinaj, duket se humbja e tij pa gjurmë, është e mbuluar nga një tis mjegulle që vazhdon të qëndrojë pezull mbi ngjarjen.

Ndërsa Policia është në kërkim të autorëve të mundshëm të rrëmbimit dhe zhdukjes së tij, një ndër këto dyshime lidhet edhe me hasmëritë që Ervis Martinaj, kishte krijuar kohë pas kohe.

FAIK MARTINAJ, xhaxhai i Ervis Martinajt

“Unë dyshoj se zhdukja e nipit tim Ervis Martinaj ka lidhje me grupe kriminale dhe individë që i ka përfshirë Nuredin Dumani. Në këtë histori është edhe Indrit Dokle, i cili mund te ketë organizuar gjithçka lidhur me zhdukjen e nipit”.

Mbështetur në dëshmitë e familjarëve dhe të akuzave që ata ngritën, grupi hetues mori në pyetje edhe Endrit Doklen.

Personi që sikundër del edhe në dëshminë e Nuredin Dumanit, ka qenë objektiv i shënjestrës së Ervis Martinaj.

Por Dokle, ashtu siç pritej, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen e zhdukjes së Ervis Martinaj.

ENDRIT DOKLE

“Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dhe po kështu nuk kam asnjë konflikt me Ervis Martinaj”.

Sipas dosjes hetimore shfaqja e fundit publike e Martinaj, daton të jetë më 9 gusht në Tiranë, në ambientet e një qendre tregtare pranë Zogut të Zi. Vetëm disa ditë pasi ai ishte parë të lëvizte i lirë në Durrës.

Ndërkohë që nga data 9 gusht, koha kur ai shfaqet në Tiranë dhe deri më 10 gusht që përkon me kallëzimin për zhdukjen e tij, nuk ka asnjë provë të ekzistencës së tij.

Për fatin e një personazhi jo të zakontë, por për atë, të të ashtuquajturit Mbreti shqiptar i ‘Lojërave të Fatit’, ‘mbretit’, të cilin tashmë të gjithë i janë vënë në kërkim, të etur për të ditur fundin e tij, për të cilin tanimë, që nga data 11 gusht 2022, ka të regjistruar edhe një vepër penale për rrëmbim personi.

Ndërkohë që në të gjithë këtë histori, ato që nuk kishin si të mungonin, janë padyshim, teoritë konspirative.

Ato që rrethojnë gjithmonë personazhe të tillë, në të gjallë dhe në ikje të tyre nga kjo botë, ku një ndër këto teori është edhe ekzistenca e një video, në pamjes e së cilës shfaqet trupi i copëtuar i Ervis Martinaj.

Një video që thuhet se qarkullon dorë më dorë, por që askush deri më sot nuk e ka parë, as vetë autoritetet ligjzbatuese, që të mund të konfirmonin vërtetësinë e saj.

Por ndërkohë që politika heshti gjatë, për zhdukjen misterioze të Ervis Martinaj, i pari që do të rihapte këtë temë do të ishte kryeministri Rama, i cili mesa duket i lodhur nga saga e përgjakshme e verës së atentateve nëpër rrugët e Shqipërisë dhe telenovela më e fundit me në qendër personazhin e Ervis Martinaj, u kërkoi drejtuesve të policisë ta gjenin të gjallë ose të vdekur personazhin më të shumëpërfolur të momentit në Shqipëri./abcnews.al

 


Shtuar 8.10.2022 22:06