Ambasadori amerikan reagon pas ngjarjeve në Kuvend: Dhuna nuk është mjet për t’i shprehur mosmarrëveshjet

Duke iu referuar sulmeve fizike të sotme në Kuvendin e Kosovës mes pjesëtarëve të Qeverisë Kurti dhe deputetëve të PDK-së, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shkruan se dhuna nuk është kurrë një mjet për të shprehur mosmarrëveshjet.

“Keqardhje të shohësh se çka ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos më binte ta them këtë:  përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje”, ka shkruar Hovenier.

Ambasadori thotë se është normale të ketë dallime të forta në demoraci, por ato duhet zgjidhur në formë tjetër.

“Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen nëpërmjet diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, thuhet në postimin e Hovenierit.

Sot në seancën plenare, derisa po fliste Kryeministri Kurti, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, vendosi një fotografi të tij me hundë të zgjatur, pranë foltores. Ka pasur edhe raste të mëhershme kur opozita ka vendosur parulla dhe fotografi pranë foltores. Por, sot, Zv.Kryeministri Besnik Bislimi u ngrit nga vendi i tij për ta marrë fotografinë dhe për ta shqyer.

Pas këtij veprimi të Bislimit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, u hodhi ujë Bislimit dhe Kurtit. Zv.Kryeministri iu kundërpërgjigj duke e qëlluar deputetin Lushtaku me një shishe që e kishte pranë vetës. Me afrimin e Lushtakut pranë foltores, u ngritën edhe ministrat e tjerë të Kurtit, ndërsa aty shkuan më pas deputetë tjerë të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeministri rrethohet nga rojet e tij dhe nga disa deputetë të LV-së që bëhen mburojë për të. Ndërkaq deputeti Lushtaku, deputeti Hajdar Beqa dhe zv.kryeministri Bislimi shihen duke përdorur dhunë.