Fitore me kosto për Lazion ndaj Torinos, humb dyshen Immobile-Caicedo ndaj Milanit

Fitorja me përmbysje ndaj Torinos ishte e rëndësishme për Lazion për të mbajtur hapin e Juventusit, në mënyrë që të shpresojë deri në fund te titulli, por ai sukses me golat e Immobiles dhe Parolos në pjesën e dytë kishte një kosto të madhe për bardhekaltrit të cilët për sfidën e fundjavës ndaj Milanit e vlefshme për javën e 30-të nuk do të kenë në dispozicion dy sulmuesit e tyre kryesorë, Ciro Immobilen dhe Felipe Caicedon.

Dyshja që sëbashku numëron 37 gola në këtë sezon, më shumë se gjysma e finalizmeve që ka shënuar e gjithë skuadra, kanë plotësuar numrin e 5 kartonëve të verdhë dhe janë të skualifikuar për duelin ndaj kuqezinjëve. Kartonat e verdhë që morën ndaj Torinos Immobile dhe Caicedo do të detyrojnë Simone Inzaghin të improvizojë në sulm aty ku i gatshëm mbetet vetëm Joaquin Correa, njeriu që i dha fitoren Lazios ndaj Milanit në ndeshjen e fazës së parë.


Shtuar 1.07.2020 09:34