Zbulohet serra me 500 fidanë kanabis në Roskovec, arrestohet autori

Policia ka zbuluar një serrë me 500 fidanë kanabis në Roskovec, gjatë një kontrolli, të cilat ishin të mbjella në vazo, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë.

Si rezultat, është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar i këtij rasti kultivimi, ndërsa lënda narkotike u asgjësua.

Njoftimi i policisë:

Roskovec, Fier/Intensifikim kontrollesh në zona malore, me qëllim parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Zbulohet një serë me rreth 500 fidanë kanabisi, të mbjellë në vazo, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë.

Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i këtij rasti kultivimi, si dhe asgjësohen fidanët narkotikë.

Brenda 24 orësh, ky është rasti i dytë i goditur nga Policia e Fierit, i tentativës për kultivim të bimëve narkotike (në kubikë dhe në vazo).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, për intensifikimin e kontrolleve në terren dhe në ambiente të mbyllura, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale që në fazë fillestare, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë goditur në kuadër të operacionit policor “Ngjeqar”, një rast tjetër të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit në fshatin Ngjeqar, në afërsi të liqenit të këtij fshati, shërbimet e Policisë zbuluan një serë të përshtatur për kultivimin në vazo, të rreth 500 fidanëve të dyshuar narkotikë kanabisi, të cilët u asgjësuan nga këto shërbime. Gjithashtu në kuadër të operacionit “Ngjeqar”, si autor i dyshuar i këtij rasti, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. R., 46 vjeç, banues në Ngjeqar, Roskovec.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 13.04.2023 10:08