Grabitja e 40 mijë eurove në Astir, flet pronarja e biznesit: Nuk dyshojmë tek askush, ndodhi nga pakujdesia

Pronarja e pikës së këmbimit valutor në Astir ka folur për herë të parë, pasi një person i maskuar nën kërcënimin e armës grabiti 40 mijë euro.

Ngjarja ndodhi më 24 qershor, rreth orës 08:25, në rrugën “Tom Plezha” në Unazë të Re.

Pronarja tregoi për “Shqipëria Live” se  personi i cili grabiti paratë nuk ishte parë asnjëherë në pikën e këmbimit valutor nga punonjëset.

Njëra prej punëtoreve ishte e punësuar prej dy vitesh, ndërsa tjetra prej dy muajsh. Ato janë pyetur nga policia ndërsa pronarja tha se nuk dyshon te askush dhe pret hetimet e policisë.


Ajo tha se grabitja ka ndodhur nga pakujdesia, pasi dera duhet të ishte mbyllur ndërsa sa i përket shumës së madhe të parave në gjendje tha se janë të nevojshme në një pikë këmbimi valutor.

Unë nuk e kam parë asnjëherë si person, as punonjëset nuk e kanë parë. Ai ishte i maskuar dhe nuk njihet. Punonjëset janë pyetur nga policia. Ne e kemi biznes familjar dhe më shumë merret babai e vëllai i im, nuk di për pamjet filmike. Kamerat janë parë të të gjitha ditëve dhe i janë dorëzuar policisë. Bëhet fjalë për 40 mijë euro. Ka qenë diçka e planifikuar nga personi që ka bërë grabitjen. Nëse ka pasur informacion i bie të jetë dikush nga brenda, un nuk dua të bëj akuza për sa kohë nuk kemi fakte. Çështjen e ka marrë policia dhe po heton . Ka ndodhur që në mëngjes të ketë edhe më pak para. Duhet të mbahet një shumë për të bërë këmbim valutor, shuma nuk është fikse.  Brenda ishin dy biznese të ndarja, ishin dy vajza dy punonjëse. Ato njoftuan policinë dhe ne besojmë se do zbardhet.

Vajzave u kemi dhënë leje se kanë qenë në gjendje shoku për të dhënë deklaratat e tyre dhe nuk kanë ardhur këto ditë në punë. Të gjendesh para një personi që të kërcënon me armë nuk është e lehtë. Biznesin e kemi prej 8 vitesh dhe nuk kishte ndodhur kurrë një grabitje, është në rrugë kryesore në qendër të Astirit.

Njëra nga vajzat kishte dy vjet, tjetra 1-2 muaj. Ato dorëzojnë CV si në çdo punë tjetër, ne i marrim ne provë. Nuk investigojmë, thjesht shohim CV dhe nëse ato e mësojnë punën. Investigim të mirëfilltë nuk bëjmë. 5 mijë eurot shpërblim janë vendosur nga ana e policisë, ne e kemi lënë në dorë të tyre. Ata kanë marrë provat dhe çështja është në hetim dhe ende nuk kemi një përgjigje. Mendojmë se është klient, ose një banor i zonës. Për ne është i panjohur, ndjesia në momentin e parë ishte shokuese, vazhdoj të jem e mërzitur edhe për pjesën e frikës. Do përpiqemi që derën mos ta lëmë hapur, gjithçka ishte e blinduar. Ka qenë një pakujdesi nga ana jonë se  është lënë hapur dera. Po të ishte mbyllur dera nuk mund të futej. Ndjej keqardhje për paratë dhe për situatën e krijuar”, u shpreh ajo./Albeu.com/


Shtuar 26.06.2023 14:41