Jakov Milatović, dritë-hijet e presidentit të ri të Malit të Zi dhe revanshi i pritshëm i Đukanović në qershor

Meduza

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Jakov Milatović, presidenti i ri i zgjedhur i Malit të Zi, e ka jetuar gjithë jetën e tij të ndërgjegjshme nën presidencë apo duke pasur si kryeministër të vendit paraardhësin e tij në detyrë, Milo Đukanović. Ai ishte vetëm 4-vjeç kur Milo, siç njihet zakonisht në vend, u bë kryeministër i Republikës Socialiste të Malit të Zi, e cila asokohe ishte pjesë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Milo vazhdoi ta udhëheqë Malin e Zi brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, pastaj brenda shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi, dhe më vonë brenda Malit të Zi të pavarur pas shkëputjes së tij nga Serbia. Por ndërsa Milo qeveriste dhe po përballej me skandale të ndryshme korruptive, Milatović u rrit, studioi në Perëndim, u rikthye në vendlindje dhe në një surprizë për të gjithë e mposhti në zgjedhjet e fundit politikanin veteran.

Đukanović e pranoi humbjen dhe i uroi sukses presidentit të ri, por nuk ka dyshim se ai ka në plan të rikthehet në qendër të skenës politike. Karriera politike e Milo Đukanović filloi që para se të mbaronte shkollën e mesme, kur ai iu bashkua Lidhjes së Komunistëve të Malit të Zi në moshën 17-vjeçare në vitin 1979.

Pas mbarimit të universitetit, u rreshtua me Slobodan Milloshevicin dhe Momir Bulatovic, që më vonë u bë presidenti i parë i Malit të Zi. Në vitin 1991, Lidhja e Komunistëve u shpërbë dhe Bulatovic dhe Đukanović themeluan Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila do ta sundonte vendin për 30 vitet e ardhshme.

Në fund të vitit 1990, Bulatovic u zgjodh president ndërsa Milo u bë kryeministër në vitin

  1. Megjithatë, në praktikë, ishte Milo ai që ushtroi pushtetin kryesor. Në vitin 1997, ai u bë zyrtarisht lideri më i lartë i vendit, duke mposhtur Bulatovic në zgjedhjet presidenciale të atij viti.

Me përjashtime të shkurtra, Đukanović vazhdoi ta sundojë Malin e Zi deri këtë vit, kur edhe pse nuk kishe zyrtarisht ndonjë post kryesor, partia e tij, DPS, ruante pushtetin qendror. Gjatë Luftërave Jugosllave, Milo dhe Bulatovic e mbështetën Miloshevic. Në vitin 1991, kryeministri i atëhershëm Đukanović dërgoi militantë malazezë për të rrethuar qytetin kufitar kroat të Dubrovnikut me Ushtrinë Popullore Jugosllave, në një përpjekje për ta aneksuar atë. Sulmi shkaktoi vdekjen e 92 civilëve dhe dëmtoi 563 ndërtesa historike. Po ashtu Mali i Zi mbështeti Jugosllavinë në Luftën e Bosnjës. Në atë kohë, kishin nisur të hynin në fuqi sanksionet e OKB-së kundër Jugosllavisë.

Prandaj për të mbështetur ekonominë e vendit, qeveria e Đukanović nisi kontrabandimin e cigareve në Itali. Në këmbim trafikantët çonin në Malin e Zi mallra që ishin subjekt i sanksioneve. Vlera e tregtisë së paligjshme të cigareve arriti shumë shpejt në miliarda dollarë në vit.

Një pjesë e parave shkuan në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër në xhepat e zyrtarëve të shtetit. Një ish-deputet i parlamentit italian që udhëhoqi Komisionin Antimafia në vitet 2006-2008, Francesco Forgione, ka deklaruar se imuniteti presidencial është arsyeja e vetme pse Đukanović ka arritur të shmangë ndjekjen penale.

Po kush është presidenti i ri? Për Jakov Milatović, anëtarësimi në BE nuk është vetëm një pikë në rendit të ditës, por thelbi i platformës së tij. Ashtu si Milo, 36-vjeçari ka studiuar për ekonomi, përpara se të fitonte një bursë që i lejoi të vazhdonte shkollimin në SHBA, Romë dhe Oksford.

Më pas vazhdoi të punojë në banka, fillimisht në Mal të Zi, më pas në Frankfurt, ku u fokusua në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si analist i rrezikut financiare. Nga aty nisi punë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, para se të emërohej Ministër i Ekonomisë së Malit të Zi në qeverinë e parë të formuar pa Đukanović.

Në fillim askush nuk e mori seriozisht politikanin e ri. Analistët parashikuan se në raundin e dytë të votimit, Milo do të përballej me politikanin pro-serb Andrija Mandić, një mbështetës i vjetër i Vladimir Putinit. Por platforma e paqartë e Đukanović nuk arriti t’i tërheqë as serbët me orientim evropian dhe as ata me prirje nacionaliste.

Milatović kishte ofruar pak propozime specifike, por ai premtoi të vazhdonte rrugën e vendit drejt integrimit evropian, të përmirësonte marrëdhëniet e tij me Serbinë, dhe të luftonte korrupsionin. Dhe pas 30 vitesh nën sundimin e Đukanović, skandaleve dhe korrupsionit të tij, malazezët ishin të etur për ndryshim.

Milatović nuk ishte përballur me akuza për korrupsion, nuk ishte përfshirë në asnjë skandal dhe nuk kishte histori të deklaratave të guximshme politike që mund të distanconin votuesit. Por rezultati është se edhe tani, dihet relativisht pak mbi pikëpamjet e tij politike, qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Fitorja e Milatović u ndihmua edhe nga të gjithë kandidatët e tjerë që nuk arritën të kalojnë në raundin e dytë të votimit, përfshirë Andrija Mandić. Është e paqartë nëse Milatović i ka premtuar atij diçka në këmbim. Përpjekja e tij për ta bërë Malin e Zi pjesë të BE-së  në vitet e ardhshme e ka bërë atë popullor në mesin e diplomatëve dhe gazetarëve perëndimorë.

Edhe serbët pro-evropianë kanë pikëpamje pozitive për të. Por mbështetja për të nuk mbaron këtu. Në prag të zgjedhjeve, Milatović u mbështet nga lideri i Partisë Radikale Serbe Vojislav Sheshelj, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës në vitin 2018.

Edhe zonat me përqendrim të lartë të serbëve etnikë, që kundërshtuan shkëputjen e Malit të Zi nga bashkimi i tij me Serbinë në vitin 2006, votuan në masë për 36-vjeçarin.

Edhe sot, shumë serbë e konsiderojnë pavarësinë e Malit të Zi si një projekt personal të Milo Đukanović, dhe e fajësojnë atë për shkatërrimin e “Botës Serbe” për hir të interesave të tij personale. Ata e shohin fitoren e Đukanović, një serb etnik, si një shans për ta rikthyer Malin e Zi “në portin e tij të lindjes”.

Është jo pak domethënëse që banorët e Podgoricës e festuan fitoren e Milatović me dy flamuj: atë serb dhe atë malazez. Udhëheqësit e parë që e uruan atë për fitoren e tij ishin ata të Republika Srpska, një nga dy entitetet që përfshin Bosnje dhe Hercegovinën. Ndërkohë, krerët boshnjakë thanë se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të përkeqësohen.

Ndërsa Milatović po shqyrton zgjedhjet e vështira që duhet të bëjë, rusët që jetojnë në Malin e Zi ka të ngjarë të renditen poshtë në listën e tij të prioriteteve. Vitin e kaluar, në këtë vend hynë  48.193 shtetas rusë. Ata nuk kanë të drejtë vote dhe asnjë parti që i përfaqëson interesat e tyre.

Megjithatë, Mali i Zi është aktualisht një nga vendet më të përshtatshme në Evropë për të qenë një emigrant rus. Ata lejohen të qëndrojnë në vend për 30 ditë pa vizë. Por kjo mund të ndryshojë së shpejti. Brukseli ka kërkuar nga Podgorica të vendosë një regjim vizash për rusët, duke kërcënuar me dhënien fund të hyrjes pa viza të malazezëve në zonën Shengen.
Edhe pse Milo i humbi zgjedhjet, do të ishte e gabuar të mendohet se karriera e tij politike ka mbaruar. Qeveria e re nuk është konfirmuar ende. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë caktuar për në qershor. Dhe vëzhguesit nuk kanë asnjë dyshim se Đukanović ka një plan për kthimin në pushtet. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 15.04.2023 11:28