Lavrov: Rusia dhe Serbia po koordinohen për vizitën e Daçiç në Moskë

Moska dhe Beogradi po koordinojnë vizitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq në Rusi, tha ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, në një konferencë online më 30 qershor.

Siç raporton agjencia ruse e lajmeve TASS, Lavrov tha se vizita po aranzhohej pasi vizita e delegacionit rus në Serbi në vitin 2022 u “parandalua dhe ai fajësoi Perëndimin për këtë.

“Vërtet, Perëndimi e pengoi këtë udhëtim, thjesht duke i detyruar vendet fqinje të Serbisë që të mos lejojnë kalimin e avionëve tanë”, theksoi Lavrov.

Ai tha se me palën serbe janë duke u dakorduar për data konkrete.

“Ne ramë dakord me Ivica Daçiqin, mikun tim të mirë të vjetër, që në këtë situatë ai të vijë në Federatën Ruse. Tani jemi dakord për disa data specifike”, tha shefi i diplomacisë ruse.

Lavrov nuk përjashtoi mundësinë që fjalët e tij mund të shkaktojnë “një kërkesë tjetër të pacipë nga Perëndimi që Ivica të mos vijë në Federatën Ruse”.

“Por në çdo rast, ne kemi një marrëveshje të tillë me të”, shtoi Lavrov.

Në këtë kontekst, ministri rus i Punëve të Jashtme theksoi se kontaktet mes Rusisë dhe Serbisë mbahen rregullisht.

“Ne i jemi shumë mirënjohës presidentit [Aleksandar Vuçiq] dhe kryeministres së Serbisë [Ana Bërnabiq], si dhe ministrave të Qeverisë së Serbisë që janë gjithmonë të hapur për kontakte me ambasadorin tonë. Ato [kontaktet] janë shumë të dobishme, plus ne kemi gjithmonë mundësi të komunikojmë me telefon. Dhe unë jam në pritje të vizitës së Ivica Daçiq sa herë që është e përshtatshme për të”, tha Lavrov.

Vizita dyditore e Lavrov në Beograd ishte planifikuar për në qershor të vitit 2022, por nuk u realizua sepse Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi refuzuan të siguronin një korridor ajror për aeroplanin e ministrit rus.

Kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse e quajti të paprecedentë dhe të paimagjinueshëm vendimin e një sërë vendeve evropiane për të mos lejuar kalimin e avionit të tij.

Vizita u organizua disa muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, si rezultat i së cilës Perëndimi vendosi sanksione ndaj Rusisë.

Sergei Lavrov së bashku me presidentin rus Vlladimir Putin janë në listën e sanksioneve të shumë vendeve perëndimore. Të vetmet vende ku mund të udhëtojnë në Evropë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që ende nuk i ka zbatuar këto sanksione./REL


Shtuar 30.06.2023 14:56

Tags: