Laboratori i drogës në Fier, SPAK zbardh detaje: Hetimet kanë nisur që në korrik, porositësi shqiptar

Prokuroria e Posaçme SPAK ka dalë në një konferencë për mediat në lidhje me operacionin që zbuloi një laborator droge ne Fier.

Prokurori i çështjes është shprehur se hetimet kanë nisur në korrik dhe se porositësi i lëndës ndarkotike është shqiptar. Më tej bën me dije se janë kapur 430 kg kokainë.

“Kemi regjistruar që në fund të korriku veprën penale për trafik të lëndëve narkotike. Ky procedim është hetuar në bashkëpunim të ngushtë me policinë e shtetit, BKH dhe disa agjenci të huaja ndërkombëtare dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet malazeze të drejtësisë.

Ekzistonin të dhëna se në maj 2022 në portin e Kolumbisë ishte ngarkuar një ngarkesë me pleh kimik, që do të shkonte në Pire Greqi dhe më pas në Mal të Zi i porositur nga një shtetas shqiptar.

Kanë vijuar hetimet dhe nga verifikimi që kanë bërë autoritetet shqiptare rezultoi se porositës i mallit ishte një shtetas shqiptar që kishte hapur një aktivitet tregtar në Shqipëri në 2022.

Pasi sasia me pleh ka mbërritur në Shqipëri janë kryer veprimet doganore.

U pa e udhës që të mos ndaleshin vetëm te porositësi, por dhe të organizatorët, bashkëpunëtorët. Nga ana e GJKKO janë autorizuar dhe janë pranuar kërkesat tona për arrestimin e 4 persona.

10 masa sigurimi janë ekzekutuar dhe 14 për kontrolle.

Janë sekuestruar 15 mijë euro, 3 automatik, 3 pistoleta, 108 fishekë, 18 aparate celularë, 5 automjete, 20 paleta me 24 ton pleh artificial, brenda të cilit 430 kg kokainë, me vlerë 40 mln euro”, tha prokurori i çështjes.

Kujtojmë se operacioni u zhvillua ditën e djeshme, ku morën pjesë DEA, SPAK dhe policia malazeze duke bërë të mundur kapjen e një sasie të madhe droge të fshehur në 400 kliogram pleh kimik në Tivar, ndërkohë që u zbulua dhe laboratori që përdorej për përpunimin e kokainës në Frakull të Fierit.

Në lidhje me këtë megaoperacion u arrestuan 15 persona, mes tyre dhe dy shtetas kolumbianë, pasi ishin ata që të cilët bënin përpunimin e kokainës./albeu.com


Shtuar 25.11.2022 11:14