Drejtoresha e Tatimeve jep afatin e fundit për individët dhe bizneset që të aplikojnë për pagën e luftës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj kanë zhvilluar sot takime me bizneset e mbyllura për shkak të COVID-19.

Drejtoresha e Tatimeve tha se vetëm gjatë periudhës mars-prill janë larguar nga puna rreth 38 mijë individë. Ajo u shpreh se të gjithë tatim-paguesit dhe individët që nuk kanë përfituar nga paga e luftës duke të aplikojnë deri më datën 5 qershor.

Në të kundërt, ajo u shpreh se nëse bizneset nuk aplikojnë atëherë paga e luftës do i kalojë të gjithë individëve që përfitojnë.

“Kemi ndjekur procesin e ankesave nga individë apo tatim paguesit që nuk kanë mundur të aplikojnë ose përfitojnë nga paketa e dytë.

Janë rreth 38 mijë individë që janë larguar nga puna në periudhën mars-prill për COVID-19, kemi bërë të mundur që të përfitojnë nga paga e luftës.

Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve do të afishojë në faqen e vet të gjithë tatim-paguesit do jenë përfitues të këtij ndryshimi si edhe individët. Kanë kohë që të aplikojnë deri në datën 5 qershor siç ka qene edhe procedura e aplikimit për paketën e dytë.

Mbas datën 5 qershor nëse bizneset nuk aplikojnë pagën e luftës do ia kalojmë të gjithë individëve që duhet të përfitojnë duke arritur në vlerën e 170 mijë personave,”- u shpreh Ibrahimaj.

Ndërkohë ministrja Denaj tha se hapja e bizneseve është çështje kohe.

“Hapja e bizneseve do jetë çështje kohe duke siguruar protokollet që kemi thënë dhe do bëhet mënyrë jetese. Bizneset e mbyllura kanë përfituar nga paketa e parë, ajo e pagës për tre muaj, pagës minimale.

Jo të gjithë personat që kanë përfitues të pagës së dytë kanë arritur të marrin paketën e dytë brenda afateve kohore. Kemi propozuar ndryshime proceduriale që do tejkalojnë disa nga vështirësitë operacionale,”– u shpreh ministrja e Financave.


Shtuar 27.05.2020 14:45