Paralajmëron Dodik: Republika Sërpska do të bashkohet me Serbinë

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, foli më 23 prill në ngjarjen për të shënuar Ditën e Përkujtimit të 700.000 viktimave të krimeve të ushtashëve në kampin e përqendrimit të Jasenovacit, ngjarje që u mbajt në Donja Gradina.

Ai foli për këto krime, i krahasoi ato me krimet e luftës së fundit në territorin e Jugosllavisë së atëhershme dhe foli për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe bashkimin me Serbinë.

“Ne jemi këtu nga Republika Sërpska sepse i takojmë një kombi dhe një ditë ne do të jemi një shtet. Askush nuk do të na ndalojë që ta bëjmë këtë sepse është e drejta jonë dhe historia jonë. Shekulli i kaluar ishte shekulli i vuajtjes serbe dhe ky shekull do të jetë shekull i bashkimit të serbëve”, tha Dodik, raporton Beta.

“Shteti është fjalë kyçe në lirinë tonë dhe prandaj ne duam që qartazi ta themi se nuk ka iluzione apo kërcënim për këdo kur Republika Sërpska shpreh vullnetin e saj popullor për të formuar shtetin e vet, sepse ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë, shtet që na shtyp ne dhe kërcënon liritë tona”, tha Dodik para të pranishmëve.

Ai vlerësoi se serbët “nuk mund të mbijetojnë në këto zona, nëse Republika Sërpska nuk bëhet e pavarur në vitet në vijim”.

“Ne do ta bëjmë Republikën Sërpska një shtet në paqe, pa konflikte dhe luftëra. Ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë”, tha Dodik, duke shtuar se nuk ka asgjë kundër boshnjakëve dhe kroatëve. /REL/


Shtuar 23.04.2023 19:13