Ministri britanik: Kievi duhet të kundërsulmojë tani, Putin i tmerruar nga uniteti i Perëndimit

Nga Antonello Guerrera “La Repubblica

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Është Ministri i Mbrojtjes, vendi i të cilit, Britania e Madhe, ka dërguar më shumë armë dhe ndihma për Ukrainën pas SHBA-së. Thuhet se do të jetë ai Sekretari i ri Përgjithshëm i NATO-s.

Ben Wallace është politikani konservator më popullor në Britani, por ai ka hequr dorë nga ambicia për t’u bërë kryeministër “për shkak të familjes”.

Ndërkohë ai është një ish-ushtarak 52-vjeçar, që dikur transportoi nga Parisi në Londër arkivolin me trupin e pajetë të Lady Dianës, ndërsa përcolli për në banesën e fundit edhe atë të Mbretëreshës Elizabeth II.

Wallace ishte së fundmi në kryeqytetin italian, Romë, për samitin “Pontignano 2023” të organizuara nga ambasada britanike dhe samitin “2+2” me homologun e tij italian Guido Crosetto dhe dy ministrat e Jashtëm, Antonio Tajani dhe James Cleverly. Në  intervistën për gazetën “La Repubblica” ministri britanik ritheksoi edhe njëherë se Ukraina i ka të gjitha shanset që ta fitojë këtë luftë, dhe se Perëndimi do të bëjë gjithçka ka në dorë për ta mundësuar këtë gjë.

Zoti Wallace, kryeministri juaj Rishi Sunak është shprehur së fundmi i hapur për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë. Dhe në Downing Street thonë se ju po merreni ekskluzivisht me këtë çështje…

Avionët luftarakë britanikë “Typhoon” u përkasin 4 vendeve (Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Spanja), ndaj duhet pëlqimi i të gjithëve. Por këto janë armë që shërbejnë për një periudha afatgjatë, pra edhe kur të ketë përfunduar lufta. Megjithatë, është e rëndësishme të trajnohen pilotët ukrainas, edhe sepse në këtë mënyrë i lëmë të hapura të gjitha opsionet.

Gjëja kryesore që kam mësuar nga ky konflikt është:kurrë mos thuaj kurrë. Por kjo nuk do të thotë se do t’i dhurojmë që nesër avionët “Typhoon” Ukrainës. Rruga është ende e gjatë.

Por aleatët e tjerë, si për shembull gjermanët, janë më ngurrues në lidhje me këtë çështje…

Shumë vende të Evropës Lindore janë në favor të këtij hapi. Ne kemi dërguar tashmë në Ukrainë helikopterët tanë ushtarakë. Vendet e tjera janë gati të ofrojnë avionët e tyre të epokës sovjetike Mig dhe Sukhoi. Edhe debati i fundit mbi tanket, është për mua i çuditshëm. Sepse Polonia i ka dhuruar tashmë Kievit rreth 200 tanke.

Dhe dallimi midis tankeve sovjetike T72-ve dhe tankeve perëndimore, nuk është shumë i madh. Në rast se je një objektiv i tyre, ata të eleminojnë. Ukraina mund ta fitojë këtë konflikt vetëm me formacione të kombinuara të armëve në një luftë me lëvizshmëri të lartë të vijës së frontit.

Ofensiva ajrore është e rëndësishme, por goditja e armikut në thellësi mund të bëhet edhe pa avionët luftarakë, pra përmes raketave me rreze të gjatë veprimi si amerikanet Himars.  Rezistenca e Ukrainës mund të ndërtohet pa pasur nevojë për dërgimin e avionëve “Typhoon” apo “F-16”.

Por në terma afatshkurtër, a mund të jetë vendimtar në “betejën e pranverës” dërgimi i  tankeve, përfshirë britaniket “Challenger” dhe gjermanet “Leopard 2”?

Që Ukraina të fitojë duhet të përmbushen 2 kushte themelore:një aleancë vendesh që i furnizon ukrainasit me tanke si polakët, gjermanët, francezët, holandezët dhe kanadezët, dhe dhënia e mjeteve të tjera për t’i goditur rusë në thellësi të linjave të tyre mbrojtëse.

Por ju keni deklaruar më herët se “nuk ekziston një shkop magjik”. A do të zgjasë gjatë kjo luftë?

Ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm. Jemi përballë një udhëheqësi si Vladimir Putin, që nuk do t’ia dijë aspak për bashkatdhetarët e tij të vrarë në betejë. Rusia ka humbur tashmë 188.000 ushtarë, përfshirë të vdekur dhe të plagosur, dhe mijëra mercenarë të Grupit Vagner. A do ta ketë problem presidenti rus të sakrifikojë edhe 100 mijë ushtarë të tjerë?

Ai angazhoi në Ukrainë gati të gjithë ushtrinë e tij në Ukrainë, të gjitha njësitë nga Vladivostoku në Murmansk. Është diçka e jashtëzakonshme. Prandaj është e vështirë të parashikohet fundi i kësaj lufte. Në një botë normale, me një humbje prej mbi 180.000 ushtarësh, çdo konflikt do të kishte përfunduar tashmë.

Por me Putinin në krye të Rusisë ne nuk po jetojmë në një botë normale. Prandaj, është thelbësore që fronti ndërkombëtar të jetë i fortë dhe i bashkuar. Një nga gjërat që e tmerron më shumë Putinin është uniteti ynë, të cilin deri pak kohë më parë ai e konsideronte të pamundur.

Por a do të mbetet i bashkuar Fronti Perëndimor?

Shumë analistë nuk besonin se ishte e mundur një gjë e tillë. Në fakt ndodhi e kundërta. Kongresi i SH BA-së, sapo ka miratuar një sasi të re të madhe ndihme për Ukrainën. Ne kemi tashmë një marrëveshje për dërgimin e qindra tankeve, ndërsa janë shtuar sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Por a e dini që qeveria aktuale italiane ka personazhe si Salvini dhe Berlusconi, të cilët në të shkuarën kanë pasur marrëdhënie të ngushta me Putinin…

Unë nuk bëj komente mbi qeverinë italiane. Por di të them që me homologun tim italian Crosetto kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë.

Britania e Madhe dhe Italia po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë në fushën ushtarake:për prodhimin e përbashkët të avionëve Typhoons, tankeve Leonardo, raketave etj. Dhe Italia ka një nga ushtritë më dinamike, më të afta dhe më globale në Evropë.

Por lufta në Ukrainë po bëhet një konflikt statik, e ngjashme në një farë mënyre me Luftën e Parë Botërore. A nuk është ky një plus për Rusinë, popullsia e të cilës është 4 herë më e madhe se ajo e Ukrainës?

Pikërisht për këtë arsye n duhet të shfrytëzojmë momentin dhe ta ndihmojmë Ukrainën të rifitojë territorin e humbur. Nëse konfliktin ngrin, kjo është në avantazhin e Moskës, pasi do të ketë kohë të rigrupohet për të sulmuar në të ardhmen. Ashtu siç ndodhi në vitin 2014.

A duhet të anëtarësohet Ukraina në NATO?

Londra ka qenë gjithmonë në favor të saj. Franca dhe Gjermania janë më të kujdesshme. Por një ditë Ukraina duhet të jetë në gjendje që të mbrohet vetë. /albeu.com

 


Shtuar 11.02.2023 12:41