Kërkoi zbutjen e masës së sigurisë, ekspertët dorëzojnë raportin mjeko-ligjor për Lefter Allën: Ka probleme me zemrën

Sot, para Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dy ekspertë mjeko-ligjorë kanë paraqitur rezultatet e raportit mjekësor ndaj ish-kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla.

Sipas ekspertëve, Alla ka probleme shëndetësore me zemrën dhe se qëndrimi në qeli nuk është i përshtatshëm për gjendjen e tij.

Ndërkohë më 12 qershor në orën 12:00, Alla do të dalë para Gjykatës së Posaçme për tu njohur me vendimin e lidhur me kërkesën e ish-kryebashkiakut për masë më të butë sigurie kundrejt arrestit me burg të caktuar më herët.

Në këtë seancë do ballafaqohen qëndrimet e palëve aktet dhe se si është arritur në këtë konkluzion nga ekspertët.

Kujtojmë se Lefter Alla u arrestua për shkelje e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre, teksa 10 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë së drejtuar prej tij, përfshirë dhe biznesmenin që fitoi tenderin Aqif Konesha përfunduan në pranga.

Lefter alla akuzohet për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Lefter Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.

Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.


Shtuar 5.06.2023 15:53