Si i zhvati “Call Center-i” në Tiranë 9,700 euro gjermanes duke i premtuar milionat me Bitcoin

13 kompani “Call Center-ash” në Shqipëri janë duke u hetuar nga SPAK pasi dyshohet se përgjatë një periudhe 2-vjeçare kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash përmes mashtrimit nga shtetas të ndryshëm të Bashkimit Europian.

Mësohet se hetimi nisi nga kërkesa e autoriteteve gjermane pas ankesës së një gruaje, të cilës një “Call Center” në Tiranë i kishte marrë 9 700 euro duke i premtuar se do të investonte në Bitcoin.

Referuar letërporosisë që ka mbërritur pranë autoriteteve ligjzbatuese shqiptare, rezulton se shtetasja gjermane Janet Schafer, nga nëntori i vitit të kaluar  deri në janar 2021, ka transferuar shumën totale prej 9,700 euro në llogari të një kompanie “Call  Center-i” në Tiranë, por kjo vlerë nuk iu kthye asnjëherë, as në kriptomonedhë.

Nga hetimet ka rezultuar se, shumat e parave u tërhoqën përmes nje llogarie bankare në Lituani. Po kështu një tjetër mënyrë e terheqjes së vlerave monatere kryhen nga personat që qëndronin pas mashtrimit, pasi bënim vetë transfertat nëpërmjet programit “anydesk”, kur merrnin leje nga qytetarët që investonin.

Tashmë autoritetet në Shqipëri  janë duke verifikuar adresat  e këtyre Call- Center-ave përmes IP së internetit.

Mashtrimi:

Ka të dhëna se bëhet fjalë për një mashtrim me vlerë dhjetra milion euro, të cilat qytetarët e vendeve të BE-së i kanë dërguar në llogaritë offshore të “Call Centera-ve” me bazë në Shqipëri duke besuar se po investonin ne bursa; forex apo në monedha virtuale.

Ky aktivitet është zgjeruar shumë gjatë viteve të fundit dhe mendohet që bëhet fjalë për mijera persona të mashtruar nga operatorët shqiptarë të “Call Center-ave”, të cilët i prezantoheshin si përfaqësues të kompanive të njohura të brokerimit me bazë në Itali apo gjetkë për të rritur besueshmërinë.

Pasi i “peshkonin”, operatorët e “Call Center-ave” iu kërkonin viktimave të tyre të rrisnin kapitalin e investimit me premtimin se kështu do të fitonin edhe më tepër para.

Fillimisht ishte Gjermania dhe Holanda ajo që shprehen shqetësim në lidhje me këtë praktikë, ndërkohë që ka të dhëna se “Call Center-at” e kanë ndjekur rrugë edhe me shtetas të vendeve të tjera si Italia; Anglia; Kanadaja, etj. /abcnews.al

 


Shtuar 2.11.2021 15:37