Çfarë është edema? Shenjat që tregojnë se duhet të shkoni menjëherë te mjeku

Edema është ënjtje e shkaktuar nga lëngu i tepërt i bllokuar në indet e trupit. Edhe pse edema mund të prekë çdo pjesë të trupit, ju mund ta vëreni atë më shumë në duar, krahë, kyçe dhe këmbë.

Edema mund të jetë rezultat i medikamenteve, shtatzënisë ose një sëmundje themelore – shpesh dështim kongjestiv i zemrës, sëmundje të veshkave ose cirroza e mëlçisë.

Marrja e medikamenteve për të hequr lëngun e tepërt dhe zvogëlimi i sasisë së kripës në ushqimin tuaj shpesh lehtëson edemën. Kur edema është një shenjë e një sëmundje themelore, vetë sëmundja kërkon trajtim të veçantë.

Simptomat

Shenjat e edemës përfshijnë:

• Ënjtje ose fryrje të indeve direkt nën lëkurë, veçanërisht në këmbë ose krahë
• Lëkurë e tendosur ose me shkëlqim
• Lëkurë që ruan shenjën e shtypjes me gisht për disa sekonda
• Rritja e madhësisë së barkut

Kur duhet të shkoni te mjeku

Duhet të paraqiteni te mjeku juaj nëse keni ënjtje, lëkurë të tendosur ose me shkëlqim ose lëkurë që ruan shenjën disa sekonda pasi e keni shtypur me gisht.

Shkoni menjëherë te mjeku nëse përjetoni:

• Gulçim
• Vështirësi në frymëmarrje
• Dhimbje gjoksi

Këto mund të jenë shenja të edemës pulmonare, e cila kërkon trajtim të shpejtë. Nëse keni ndenjur ulur për një periudhë të zgjatur, si për shembull në një fluturim të gjatë dhe keni dhimbje dhe ënjtje në këmbë që nuk po largohen, telefononi mjekun tuaj.

Dhimbja dhe ënjtja e vazhdueshme e këmbës mund të tregojë një mpiksje gjaku në venën e thellë (trombozë e venës së thellë, ose DVT).


Shtuar 10.05.2023 14:10