Ministria e Financave “përgënjeshtron” drejtuesen e saj

Protestat kundër shtrenjtimit të çmimit të karburanteve vitin e shkuar, detyruan qeverinë që të krijonte Bordin e Transparencës së Karburanteve për t’i dhënë fund abuzimeve me çmimet në treg. Qëllimi kryesor i Bordit ishte kontrolli i fitimeve të tregtarëve në mënyrë që çmimi final në pikat e furnizimit me pakicë të ishte sa më i ulët. Por një vit më pas, Faktoje ka verifikuar se Ministria e Financave nuk ka asnjë të dhënë mbi marzhet e fitimit të karburanteve, ndryshe nga ç’deklaron ministrja Delina Ibrahimaj.

Esmeralda Topi

“Marzhi i fitimit të këtij sektori ka qënë gjatë këtij viti ndjeshëm më i ulët në krahasim me ato të vitit të kaluar dhe ky ka qënë qëllimi jonë, që të kontrollonim fitimet e tregtarëve dhe çmimi final i konsumatorit të ishte sa më i ulët.” – deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj gjatë konferencës së fundvitit, teksa i përgjigjej interesit të gazetarëve lidhur me ecurinë e Bordit të Transparencës së Karburanteve.

Por a e ka përmbushur qëllimin e krijimit kjo strukturë?

Në një vjetorin e krijimit të Bordit të Transparencës për Karburantet, Faktoje vendosi të verfikojë nëse Bordi ka arritur të kontrollojë fitimet e tregtarëve dhe çmimin final të naftës, benzinës dhe gazit sikurse pretendon ministria Ibrahimaj që njëherësh është edhe kryetare e Bordit.

Verifikimet tona tregojnë se Ministria e Financave nuk ka asnjë të dhënë zyrtare mbi ecurinë e marzhit të fitimit të subjekteve në fushën hidrokarbure, pavarësisht se Ibahimaj pretendon se kompanitë kanë ulur fitimet.

Në një dokument që mban vulën e institucionit që ajo drejton, shkruhet qartë se në bazë të ligjit, kompanitë kanë afat për dorëzimin e bilanceve 31 marsin dhe marzhi i fitimit është pjesë e këtyre raporteve financiare.

“Administrata tatimore disponon të dhëna për përllogaritjen e fitimit dhe marzhit të fitimit të subjekteve bazuar në raportet financiare, të cilat tatimpaguesit, në bazë të ligjit, janë të detyruar t’i dorëzojnë brenda datës 31 mars. Lidhur me, përllogartijen e marzhit të fitimit të kompanive për vitin 2022, Administrata Tatimore ende nuk disponon bilancet financiare të vitit 2022, pasi afati i dorëzimit të tyre është data 31 mars 2023. Pas dorëzimi të pasqyrave financiare dhe deklaratës së Tatimit mbi Fitimin, do të jetë e mundur të përllogariten marzhet e fitimit për vitin 2022 (me bazë vjetore) por jo për periudha të kufizuara (disa javore apo disa mujore) siç është periudha nga data e krijimit të Bordit deri në datën 31 dhjetor 2022.” – shkruan Ministria e Financave, duke e thënë qartë se autoritetet nuk kanë të dhëna as për një periudhë të kufizuar.

Për të përllogaritur marzhin e fitimit për një periudhë të kufizuar, në subjektet që operojnë në këtë sektor, duhet të zhvillohen kontrolle të plota të dedikuara, për të analizuar çdo transaksion shitjeje dhe blerjeje të kryer gjatë kësaj periudhe. Procedura për kryerjen e këtyre kontrolleve bazuar në Ligjin e Procedurave Tatimore, analizimi i rezultateve dhe përgatitja e konkluzioneve përkatëse kërkojnë një afat të konsiderueshëm kohor.”- shkruhet më tej në të njëjtin dokument.

Edhe në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Ministria e Financave pranon se nuk ka të dhëna mbi marzhet e fitimit të kompanive të karburanteve.

“Administrata Tatimore disponon të dhëna për përllogaritjen e fitimit dhe marzhit të fitimit të subjekteve bazuar në raportet financiare, të cilat tatimpaguesit, në bazë të ligjit, janë të detyruar t’i dorëzojnë brenda datës 31 mars. Lidhur me, përllogaritjen e marzhit të fitimit të kompanive, Administrata Tatimore ende nuk disponon bilancet financiare të vitit 2022, pasi afati i dorëzimit të tyre është data 31 mars 2023.” – sqaron Ministria e Financave, duke i mbetur të njëjtit argument, afateve ligjore.

Po nëse Financat dhe Tatimet nuk kanë ende të dhëna, atëherë përse ministrja Ibrahimaj deklaroi se marzhet e fitimit të kompanive të naftës janë ulur ndjeshëm?

 “Është thjesht një retorikë, Ministria nuk mund të ketë akses tek bilancet kontabël të kompanive në mënyrë operative. Është thjeshtë për të justifikuar përpara publikut politikën që kanë ndërmarrë dhe për të thënë që kostoja është ndarë e drejtë mes publikut dhe kompanive, pra që edhe kompanitë nuk kanë abuzuar. E vetmja mundësi që qeveria ka të aksesojë bilancet kontabël të kompanive është kur ato dorëzohen në organet tatimore, dhe mund të shikojnë marzhet e fitimeve.” – argumenton profesor Selami Xhepa për Faktoje.

Rezultatet e Bordit : Vetëm 1 pezullim license dhe 3 gjoba

Nga mbledhja e parë e Bordit të Transparencës së Karburanteve më 15 mars të 2022, e deri tek mbledhja e 14 marsit të këtij viti, anëtarët e kësaj strukture kanë marrë gjithsej 75 vendime, që përcaktonin çmime tavan për naftën, benzinën dhe gazin. Për kompanitë që nuk respektonin vendimet e Bordit ligji parashikonte ndëshkime nga gjobë e deri në pezullim të akitvitetit. Por edhe në këtë pikë, rezultatet janë të dobëta.

Në një vit, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjobitur në vlerën e 2.000.000 lekëve vetëm tre subjekte.

Të treja shkeljet i përkasin muajit mars të vitit 2022, periudhë kur sapo kishte nisur nga puna Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit.

Ndërsa një muaj më pas, në prill të 2022, ISHMT i ka pezulluar licensën përkohësisht një subjekti me këtë argumentim:

“ Me vendimin nr. 13, date 04.04.2022 , ka dhene masën administrative ndaj subjektit “Bregu Oil” sh.p.k., me Nipt-L42823001F “Pezullim liçense për 3 muaj për ushtrim veprimtarie dhe detyrimin për mosndryshimin e gjendjes së produkteve të naftës dhe gazit”.

Si e ka ndryshuar Bordi çmimin e naftës, benzinës dhe gazit

Që prej fillimit të muajit mars 2022, çmimi tavan i naftës, benzinës dhe gazit caktohet nga Bordi i Transparencës, bazuar në një formulë që llogarit kostot e blerjes së produktit, taksat, shpenzimet administrative dhe një marzh fitimi.

Bordi i Transparencës së Karburanteve është mbledhur 75 herë për të vendosur çmimet tavan, por vetëm një nga mbledhjet është bërë publike për mediat. Vendimet e tjera janë bërë të ditura përmes njoftimeve për shtyp.

Grafiku më poshtë ju njeh me vendimmarrjen e Bordit lidhur me çmimet e naftës, benzinës dhe gazit nga mbledhja e parë e kësaj strukure, deri në të fundit.

Referuar grafikëve, çmimi më i ulët që ka vendosur Bordi për naftën ka qënë në mbledhjen e fundit, përkatësisht në 14 mars ku cmimi tavan për tregtimin e naftës u vendos 189 lekë për litër. Ndërsa, çmimi më i lartë për naftën i vendosur nga Bordi është në qershor të vitit të kaluar, ku nafta arriti për një ditë 256 lekë për litër.

Nga ana tjetër, edhe pse Bordi u krijua për të mbajtur ccmimet nën kontroll, gjatë këtij viti nuk kanë qenë të pakta rastet kur çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ulej, por Bordi i Transparencës në Shqipëri vendoste për shtrenjtim të këtij produkti.

Për shembull, në muajin gusht të vitit të kaluar, çmimi i naftës së papërpunuar në bursa, treguesi Brent, ra në rreth 94 dollarë për fuçi, duke arritur në nivelet e para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës por nafta në tregun vendas u tregtua me 221 lekë për litër, nga rreth 190 lekë për litër që ishte në fund të muajit shkurt, përpara se të fillonte lufta.

Mos reflektimin e rënies së çmimit të naftës në tregun vendas Ministria e Financave e justifikon kështu :

“Sipas Ministrisë së Financave, Bordi i Transaprencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheur për gazoilin, benzinën si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.”

Në këtë pikë, profesor Selami Xhepa e sheh të panevojshëm vijimin e kësaj strukture.

“Marrja e kësaj mase në momentin e parë, personalisht e konsideroj të justifikuar duke patur parasysh pasiguritë jashtëzakonisht të larta dhe të paprecedenta që u ndeshën në momentin e shpërthimit të konfliktit në Ukrainë. Por e quaj të pajustifikueshme që për një periudhë një vjeçare që nga krijimi i këtij autoriteti nuk kemi një vlerësim nga ana e Autoritetit të Konkurrencës për masat që duhet të merren, për mënyrën se si duhet të bëhet një mbyllje e kësaj strukture. Ose nëse gjykohet që kushtet e konkurrencës së drejtë nuk plotësohen me strukturën aktuale të tregut, pra nëse kemi të bëjmë me dominim akoma të tregut, atëherë Autoriteti i Konkurrencës duhet të japë një orientim për mënyrën se si mund të transformohet ky bord i ngritur në mënyrë të përkohshëm, për tu përfshirë në trajtën e një strukture vendimmarrëse të përhershme, të ngjashëm me Entin Rregullator të Energjisë. Madje Autoriteti i Konkurrencës duhet të kishte bërë edhe një raport mbi mënyrën se si merret vendimmarja nga ky Bord.” – shprehet Xhepa për Faktoje.

Por vet Bordi që e ka në dorë ligjërisht shkrirjen e tij, ende nuk ka një vendimmarje të tillë.

*Njihuni me dy artikuj të tjerë që Faktoje ka botuar më herët lidhur me Bordin e Transparencës së Karburanteve. /Faktoje


Shtuar 15.03.2023 20:03