Kremlini: Udhëheqësi i Wagner do të shkojë në Bjellorusi

Yevgeny Prigozhin do të transferohet në Bjellorusi sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus për t’i dhënë fund kryengritjes së armatosur të sotme kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë, ka thënë Kremlini.

Shefi i Wagner dhe luftëtarët e tij gjithashtu do të jenë të sigurt nga ndjekja penale sipas marrëveshjes, shtoi ajo.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Alexander Lukashenko kishte ofruar të ndërmjetësonte, me marrëveshjen e presidentit rus Vladimir Putin, sepse ai e kishte njohur Prigozhin personalisht për rreth 20 vjet.

Kujtojmë se mercenarët e grupit Wagner, të cilët po marshonin drejt Moskës, kanë rënë dakord që të kthehen mbrapsht për të shmangur gjakderdhjen, tha kreu i grupit Wagner mbrëmjen e së shtunës.

Luftëtarët e ushtrisë private Wagner ishin vetëm 200 kilometra larg kryeqytetit, tha ish-aleati i Presidentit Putin, Yevgeny Prigozhin.

“Tani ka ardhur momenti kur mund të derdhet gjak. Duke e kuptuar që do të derdhet gjaku rus, ne po e kthejmë autokolonën mbrapsht dhe po kthehemi në kampet fushore siç ishte planifikuar”, tha zoti Prigozhin duke nënkuptuar Ukrainën.

Prigozhin tha se donte të shmangte gjakderdhjen në Rusi. Ai nuk tha nëse Kremlini i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka patur reagime nga Kremlini.

Njoftimi për tërheqjen erdhi pas një deklarate nga zyra e Presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko, se ai kishte negociuar një marrëveshje me Prigozhinin pasi kishte diskutuar mbi këtë çështje me Presidentin Putin.

“Prigozhini ra dakord të ndërpriste përparimin drejt Moskës, sipas një marrëveshjeje të propozuar, përfshirë garancinë për siguri për trupat e Wagnerit”, tha zyra e Lukashenskos, pa dhënë më shumë detaje.

Agjencia e lajmeve Reuters citon agjencinë bjelloruse shtetërore të lajmeve se Presidenti Lukashenko zhvilloi një telefonatë të dytë me Presidentin Putin mbrëmjen e së shtunës për ta njoftuar atë lidhur me rezultatet e bisedimeve me kreun e grupit mercenar Wagner.

Autokolona e mercenarëve të grupit Wagner njoftohet se kaloi në qytetin rus Voronezh, duke përparuar me shpejtësi drejt Moskës të shtunën, pasi, me sa duket, arritën të merrnin kontrollin e Rostov-on-Don-it, një qytet me më shumë se një milion banorë afër kufirit me Ukrainën.

Në Rostov, banorët, të hutuar, filmuan me telefonat e tyre luftëtarët mercenarë të grupit Wagner, automjetet e blinduara dhe tanket luftarake, ndërsa ata zunë pozicionet e tyre, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Udhëheqësi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin pohoi se luftëtarët e tij hynë në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don, pa qenë nevoja për përdorimin e armëve dhe se askush nuk u vra gjatë asaj që ai e quan një “marshim drejtësie”. Pretendimet e tij nuk mund të verifikoheshin.

Presidenti rus Vladimir Putin u zotua se do ta shtypë atë që ai e quajti një kryengritje të armatosur, të cilën e krahasoi me Luftën Civile të Rusisë një shekull më parë.

Një gazetar i agjencisë Reuters pa helikopterët e ushtrisë ruse të hapin zjarr ndaj një autokolone të armatosur të grupit Wagner, ndërsa përparonin drejt qytetit Voronezh. Qyteti ndodhet rreth 520 kilometra në jug të Moskës.

Pasiguria ka mbretëruar rrugët e kryeqytetit rus, ndërsa janë vënë barriera në Sheshin e Kuq.