Lufta e ardhshme e Evropës mund të nisë në Kosovë

Nga Dominick Sansone “National Interest

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Shpërthimi i fundit i dhunës në Kosovën Veriore midis trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe serbëve etnikë, i ka kujtuar botës se ndërsa lufta brutale në Ukrainë mund të jetë kërcënimi më i madh për stabilitetin evropian për momentin, ajo nuk është aspak e vetmja.

Më 29 maj, protestuesit serbë u përleshën me trupat e NATO-s, teksa autoritetet e Kosovës u përpoqën të shoqëronin kryetarët e sapozgjedhur të komunave në godinat e administratës në komunat veriore të mbizotëruara nga serbët.

Kryetarët e komunave, përfaqësues të partive politike shqiptarë u zgjodhën në prill me një pjesëmarrje të vogël votuesish prej 3.5 për qind, pasi serbët e bojkotuan procesin si pjesë e përplasjes së tyre të vazhdueshme me qeverinë e Prishtinës.

Tensionet janë rritur veçanërisht që pas vendimit të korrikut të vitit 2022 të qeverisë së Kosovës për t’i detyruar serbët e veriut të pajisin automjetet e tyre me targat zyrtare të Republikës së  Kosovës duke hequr targat e Republikës së Serbisë. Kjo çështje mund të duket e parëndësishme për vëzhguesit e jashtëm.

Por lëvizja u interpretua nga shumë njerëz si shembulli i fundit i arrogancës së Prishtinës. Edhe pse Kosova e shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj në vitin 2008, ky është një akt që

nuk njihet ende nga shumë vende të botës. Ndonëse 4 komunat veriore me shumicë serbe, përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të vendit, dhe serbët përbëjnë vetëm 6 për qind të popullsisë së përgjithshme, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE-ja e vitit 2013,

synonte të lejonte një shkallë të vetëqeverisjes në këtë rajon.

Serbët që jetojnë në Kosovë, janë të dekurajuar gjithnjë e më shumë nga dështimi i Prishtinës për të zbatuar kushtet e marrëveshjes, një fakt i pranuar së fundi edhe nga SHBA dhe BE. Në korrikun e një viti më parë, protestuesit ngritën një numër postblloqesh në veri të Kosovës, pas lëvizjes fillestare për ndryshimin e targave.

Presidenti serb Aleksandar Vucic e cilësoi situatën si shumë të vështirë. Megjithatë, Prishtina vendosi të ecë përpara me zgjedhjet lokale, pavarësisht thirrjeve nga Uashingtoni dhe Brukseli për të shtyrë procesin. Shqetësimi u rrit kur qeveria e Kosovës vazhdoi të injoronte presionin perëndimor për të mos futur me forcë kryetarët e rinj të komunave në godinat komunale, sepse mund të kishte përplasje fizike.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi, kur Prishtina vendosi të përdorë policinë e saj. Përpjekja e mëvonshme e forcave paqeruajtëse të NATO-s për të menaxhuar trazirat shkaktoi dhjetëra të plagosur, përfshirë 11 italianë dhe 19 hungarezë që ishin pjesë e misionit paqe-ruajtës. Po ashtu u plagosën mbi 50 protestues serbë, teksa Serbia vendosi ushtrinë e saj në një gjendje të lartë gatishmërie.

Uashingtoni dhe Brukseli nxituan të kritikojnë sjelljen e qeverisë së Kosovës. Ambasadori

i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, shprehu mosmiratimin e tij për veprimet e Prishtinës, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të masave të dhunshme. Më pas Sekretari i Shtetit Antony Blinken fajësoi udhëheqjen e Kosovës për “përshkallëzimin e tensioneve në veri dhe rritjen e destabilitetit”.

Pas një takimi në Moldavi me ndërmjetësimin e BE-së, presidenti serb Vucic dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ranë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri. Mbetet të shihet nëse ky pakt do të mjaftojë për të ulur apo jo tensionet në rajon.

Situata aktuale përbën një kujtesë se për mirë a keq, Shtetet e Bashkuara mbeten arbitri përfundimtar në garantimin e pavarësisë së Kosovës dhe në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm në rajon. Kjo do të thotë se autoritetet në Prishtinë duhet ta kuptojnë domosdoshmërinë e lojës për audiencën ndërkombëtare, veçanërisht për ata në korridoret e pushtetit në Uashington. Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar këtë:flamuri amerikan shihet shpesh në tubimet e tij, krah për krah me flamurin kombëtar të Kosovës (si dhe atë të Shqipërisë).

Po ashtu ai është përpjekur të mbrojë veprimet e qeverisë së tij duke përdorur leksikun aktual të politikës së brendshme amerikane. Ai i ka barazuar vazhdimisht protestuesit në veri të Kosovës me “grupet ekstremiste të krahut të djathtë”, teksa ka shkruar në Tëitter se “në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste”.

Kjo gjuhë është e ngjashme me referencat e shumta të presidentit amerikan Joe Biden ndaj opozitës në SHBA, që e mbështet ende ish-presidentin Donald Trump. Sipas Kurtit, protestuesit janë “ekstremistë dhe milici” dhe nuk përfaqësojnë “popullin”.

Disa kohë më parë, kryeministri i Kosovës u përplas fort me të dërguarin e posaçëm të emëruar nga Trump për Serbinë dhe Kosovën, Richard Grenell, dhe e mbështeti Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Nga ana e saj, edhe presidentja Osmani e ka njohur rëndësinë e narrativave politike dhe kurimit të imazhit të duhur ndërkombëtar.

Ajo e ka paraqitur vendin e saj si një komb të rrethuar dhe në një situatë të ngjashme me atë të Ukrainës. Pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy më 1 qershor në samitin e BE-së në Moldavi, ajo shkroi në Twitter “Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe rezistencën e Ukrainës më mirë sesa populli i Kosovës. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”.

Por jashtë godinës së komunës veriore të Zveçanit në Kosovë, protestuesit serbë mbanin tabela me të njëjtin slogan:“Nuk jemi kriminelë, duam vetëm të jemi të lirë”, dhe “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”. Në fakt, dinamika politike e situatës në veri të Kosovës është në shumë aspekte e ngjashme me atë të Ukrainës Lindore.

Ashtu si Ukraina, Kosova është një territor historikisht i kontestuar që shkëputja nga vendi që e kishte dikur nën kontroll. Serbët etnikë në Kosovën e sapo-pavaruar ndihen ende të lidhur me Beogradin, njëlloj si disa rusë në Donbas që ndihen të lidhur me Moskën.

Nuk është rastësi që Kurti i cilësoi protestuesit serbë në veri të Kosovës si simpatizantë të Moskës. Ai shtoi më tej se “elementët pro-rusë në Serbi dhe në veri të Kosovës, duan të destabilizojnë gjithçka për të cilën deri tani ka pasur konsensus”. Potenciali për përshkallëzimin e situatës mbetet një mundësi reale.

Megjithatë, forca relative e Shteteve të Bashkuara dhe aleanca më e gjerë transatlantike që ajo kontrollon, po e nxit Serbinë të mbetet brenda kufijve të sjelljes së diktuar nga Perëndimi. Lufta në Ukrainë mund të përfundojë si një lloj konflikti i ngrirë, ngjashëm me situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Dhe njësoj si situata e fundit, SHBA-ja do të jetë me siguri garantuesja e sigurisë në Ukrainë siç është sot për Kosovën. Politikë-bërësit duhet ta kenë parasysh këtë fakt teksa po përpiqen të arrijnë një zgjidhje që mban parasysh pasojat shumë më të rëndësishme të sigurisë, dhe lidhen me një sfidë të drejtpërdrejtë ushtarake ndaj Rusisë. /albeu.com


Shtuar 10.06.2023 10:29