Gjykata e Posaçme e Apelit rikthen në qeli Alqi Bllakon

Gjykata e Posaçme kundër Krimit te Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka vendosur këtë të mërkurë të rikthejë Alqi Bllakon, ish-deputetin e Partisë Socialiste në qeli.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme erdhi pas kërkesës së SPAK e cila ankimoi më herët lirimin e tij nga qelia dhe lënien në “arrest shtëpie”.

Në fillim të tetorit, gjashtë muaj pas arrestimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre me aferën e inceneratorëve, Gjykata e Posaçme vendosi ta dërgonte në arrest shtëpie ish-deputetin Alqi Bllako.

Por SPAK tha se “nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar” dhe e ankimoi vendimin.

Prokuroria e Posaçme SPAK, e konsideroi të pamjaftueshëm shkakun e ngritur për lirimin e Bllakos nga qelia.

SPAK e akuzon Bllakon se ka marrë përfitime të paligjshme nga kompanitë koncensionare të ndërtimit të inceneratorëve, ndërsa ka favorizuar këto kompani gjatë kohës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues”, si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.


Shtuar 9.11.2022 10:46