Lajmet burimore dhe rrenat që nuk pastrojnë as veten

Nga Esiona Konomi

“Arrestimi i Arben Ahmetajt çështje orësh, SPAK gati kërkesën për t’i kërkuar Kuvendit autorizimin që çon në pranga ish-zv/kryeministrin, të rrezikuar ministra dhe ish-ministra”.-11 mars 2023

“Eksluzive/ SPAK i kërkon Kuvendit arrestimin e Arben Ahmetajt!”-13 mars 2023.

“Çështje orësh”, gazetari: SPAK-u do kërkojë arrestimin e Arben Ahmetajt”-21 mars 2023.

Kërkimi me fjalët “SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt” mund të nxjerrë në Google një pafundësi artikujsh ende të aksesueshëm, të cilët prej disa javësh vijojnë të jenë të publikuara, edhe pse koha ka treguar se ato kanë qenë të rreme.

Artikuj se Prokuroria Speciale SPAK i ishte drejtuar zyrtarisht Kuvendit duke i kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Ahmetaj dhe arrestimin e tij përfshijnë uebe të vegjël, por edhe portale seriozë, përfshirë edhe televizione që i kanë këto informacione të shoqëruara me video e pohime të gazetarëve përkatës.

Fakt është se në Kuvend nuk ka mbërritur kurrë një kërkesë e tillë. Të paktën deri në shkrimin e kësaj analize në 03.04.2023.

Kuvendi i pyetur nga gazetarët e ka konfirmuar këtë fakt, por edhe nëse Kuvendi nuk do të ishte transparent, ligji detyron që ky proces të jetë publik.

Nëse një kërkesë e tillë do të kishte ardhur në 11, 13 apo 21 mars, kur kanë lulëzuar të tillë artikuj, atëherë ligji duhej zbatuar si më poshtë, bazuar në nenin 118 të Rregullores së Kuvendit:

“Dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës

1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit”

Pra, edhe nëse në Kuvend do të kishte ardhur një kërkesë e tillë nga SPAK, socialistët që e drejtojnë institucionit nuk mund ta mbanin të fshehtë, pasi ligji imponon që “menjëherë” të njoftohet Këshilli i Imunitetit, ku marrin pjesë edhe opozitarët, të cilët në asnjë rast nuk do ta mbanin të fshehtë këtë cështje.

Pra, është e qartë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, se një akt kaq i madh e i ndjeshëm nuk mund të mbahej i fshehtë.

Por ajo që është më e pakuptimë lidhet me rehatinë e botuesve të këtyre artikujve për të mos u vetëkorrigjuar online. Edhe pse kanë kaluar jo vetëm orë, por javë të tëra e lajmi i tyre ka rezultuar i rremë, askush nuk është shqetësuar të pastrojë motorrët e kërkimit nga një informacion i pasaktë.F

Nuk ka pasur përgënjeshtrime, kërkim ndjese apo shpjegime jo vetëm nga portalet, por edhe nga ata gazetarë të cilët me zë e figurë kanë pohuar një informacion të pasaktë.

Ekzistenca e këtyre artikujve online e bën terrenin informativ të rrezikshëm, për lexues të pavëmendshëm, apo për ndjekës lajmesh jo në mënyrë sistematike, të cilët nuk e dallojnë qartë zhvillimin e historisë.

Në këto raste, media i ka ikur përgjegjësisë për informim të saktë e të balancuar.


Shtuar 3.04.2023 14:04