VIDEO/ I mbuluar me kapuç, i riu hyri në oborrin e banesës dhe i vuri zjarrin makinës në Durrës, arrestohet autori

Ka rënë në prangat e policisë, autori që i vuri zjarrin një makine të parkuar përpara banesës gjatë mesnatës në Spitallë, Durrës.

Policia bën me dije se autori 27 vjeç me iniciale E.Xh, rezulton i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.

Ndërkaq policia ka publikuar videon nga momenti kur i riu futet në oborrin e banesës ku ndodhej makina.

Njoftimi i policisë

Durrës

I vuri zjarrin gjatë mesnatës, automjetit të parkuar përpara një banese, falë veprimeve të shpejta nga Policia, identifikohet dhe vihet në pranga 27-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së denoncimit nga një shtetase, se gjatë mesnatës i kishin vënë zjarrin automjetit që e kishte parkuar përpara banesës së saj, në Spitallë, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të djegies së automjetit, shtetasit E. Xh., 27 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërimi i pronës me zjarr”./albeu.com/