“Shijoni ditët tuaja të fundit në rrugë”, rrëfimi i studentes afgane: Burrat na përqeshin, do na ngujojnë

“Shijoni ditët tuaja të fundit në rrugë” Rrëfimi i studentes afgane: Burrat na përqeshin, do na ngujojnë

Pas marrjes së kontrollit nga talebanët në Afganistan, gratë afgane duket se do të jenë ato që do të vuajnë më së shumti mungesën e lirive dhe të të drejtave të njeriut.

Ato shprehen se talebanët nuk do i lejojnë femrat as në shkollë e as në pune dhe jeta e tyre nuk do të jetë gjë tjetër veçse ngujim.

Prestigjozja “The Guardian” ka shkruar një artikull bazuar në rrëfimin tronditës të një studenteje 24 vjeçare, pas hyrjes së talibanëve në Afganistan, dje 15 gusht.

“Të dielën  në mëngjes isha duke shkuar në universitet, kur një grup vajzash po largoheshin  nga konvikti duke vrapuar. Pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe njëri prej tyre më tha se policia i kishte përzënë, sepse talibanët kishin mbërritur në Kabul dhe se do të godisnin gratë që nuk ishin veshur me ferexhe.

Të gjitha donim të shkonim në shtëpi, por nuk mund të përdornim transportin publik. Shoferët nuk na lanë të hipim në makinat e tyre, sepse nuk donin të merrnin përgjegjësinë për transportin e një gruaje.

Ndërkohë, burrat që qëndronin rreth nesh qeshnin dhe bënin shaka me frikën tonë. ‘Shkoni dhe vishni ferexhe’, bërtiti njëri. ‘Këto janë ditët tuaja të fundit në rrugë,’ tha një tjetër. ‘Unë do të martohem me katër prej jush brenda një dite,” tha një tjetër.

Ndërsa zyrat qeveritare filluan të mbyllen, motra ime vrapoi disa kilometra për t’u kthyer në shtëpi. Fika kompjuterin, dola nga zyra mes lotësh dhe u thashë lamtumirë kolegëve të mi.  E dija që ishte dita e fundit e punës sime.

Pothuajse jam diplomuar nga universitetet më të mira në Afganistan. Unë duhet të isha diplomuar në nëntor të këtij viti, nga Universiteti Amerikan i Afganistanit dhe Universiteti i Kabulit, por këtë mëngjes gjithçka ndryshoi para syve të mi.

Kam punuar shumë ditë e net për të qenë kjo që jam sot, dhe këtë mëngjes kur u ktheva në shtëpi, gjëja e parë që unë dhe motrat e mia bëmë ishte fshehja e kartave të identitetit, diplomave dhe certifikatave tona. Ishte katastrofike. Pse të fshehim gjërat për të cilat duhet të jemi krenarë? Në Afganistan tani nuk na lejohet të njihemi ashtu siç jemi.

Si grua, ndihem viktimë e kësaj lufte politike të filluar nga burrat. Ndihesha se nuk mund të qeshja më me zë të lartë, nuk mund të dëgjoja më këngët e mia të preferuara, nuk mund të takoja më miqtë e mi në lokalet tonë të preferuar, nuk mund të vishja më fustanin tim të preferuar të verdhë apo buzëkuqin rozë. Dhe nuk mund të shkoj më në punë ose të marr një diplomë universitare.

Më pëlqente të rregulloja thonjtë. Sot, teksa po shkoja në shtëpi, hodha një vështrim në sallonin e bukurisë ku  shkoja për manikyr. Pjesa e përparme e dyqanit, e zbukuruar me fotografi të bukura të vajzave, ishte mbuluar me bojë të bardhë.

Gjithçka që mund të shihja rreth meje ishin fytyrat e frikësuara të grave dhe fytyrat e shëmtuara të burrave që i urrejnë gratë, të cilëve nuk u pëlqen të arsimohen, të punojnë dhe të kenë liri. Në vend që të qëndrojnë pranë nesh, ata qëndrojnë pranë talibanëve dhe u japin atyre edhe më shumë fuqi.

Afganët sakrifikuan veten për lirinë e vogël që kishin. Si jetim, thurja qilima për të qenë në gjendje të studioja. Unë u përballa me shumë sfida financiare, por kisha shumë plane për të ardhmen time. Nuk e prisja që gjithçka të përfundonte kështu.

Tani duket se më duhet të djeg gjithçka që kam arritur në 24 vitet e jetës sime. Posedimi i çdo identiteti ose çmimi nga Universiteti Amerikan është i rrezikshëm tani. Edhe nëse i mbajmë, nuk jemi në gjendje t’i përdorim. Nuk ka punë për ne në Afganistan.”/albeu.com/


Shtuar 16.08.2021 18:47