Njeriu u afërt i Vjosa Osmanit e quan Ramën “zëdhënës të qeverisë serbe” (FOTO LAJM)

Një nga njerëzit më të afërt të presidentes Vjosa Osmani, i cili iu bashkua në Listën Guxo pas ndarjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Haxhi Avdyli, e ka quajtur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën “zëdhënës të qeverisë serbe”, shkruan Gazeta Express.

Një cilësim të tillë për kreun e Qeverisë shqiptare, deputeti Avdyli e ka bërë teksa ka shpërndarë një artikull të një mediumi kosovar në të cilin thuhet se “Rama ka kërkuar mirëkuptim për Serbinë që nuk i vendosi sanksione Rusisë”,

“Paska fol zëdhënësi i Qeverisë serbe”, ka shkruar Avdyli duke e përcjellë këtë koment të tij me një figurë ilustruese të “neverisë”.

Një reagim i tillë skandaloz i Haxhi Avdylit vjen vetëm pak ditë pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte shpërndarë një postim në të cilin Edi Rama cilësohej si “pro-serb”.

Bislimi e kishte fshirë atë postim, derisa përgjegjësinë më pas dolën dhe e morën stafi i tij, duke thënë se një gjë e tillë kishte ndodhur gabimisht./GazetaExpress/