Protestë në Kamëz në mbrojtje të vajzave (FOTO LAJM)

Në një kohë kur protestat janë kthyer në të vetmen venë që qarkullon lirshëm në vend për të përcjellë mendime të shëndetshme dhe për të mbrojtur shoqërinë, edhe Kamza është bashkuar me thirrjen e protestuesve që kërkojnë të ngenë zërin për abuzimet seksuale.

Me parrulla të ndryshme në duar që i bëjnë thirrje denoncimit të dhunës seksuale ndaj vajzave, qytetarë të Kamzës i janë bashkuar nismës së rrjetit POP të 9 organizatave të shoqërisë civile për të protestuar në mënyrë alternative për shkak të pamundësisë së organizimit të një tubimi të mirëfilltë diktuar nga situata e emergjencës shëndetsore COVID-19 në vendin tonë.

Pavarësisht se policia nuk u dha leje organizatorëve, gjatë kësaj të enjte, protesta gjeti formën e saj të shprehjes online ku me dhjetra qytetarë iu bashkuan kësaj kauze duke postuar në eventin e krijuar nga rrjeti POP foto me mesazhe të ndryshme sensibilizuese për të ngritur zërin dhe për të mos fshehur çdo rast të dhunës seksuale që evidentohet në shkollë, në lagje apo edhe në qytet.

Përgjatë një orë, shumë qytetarë iu përgjigjën thirrjes së rrjetit POP duke vlerësuar si të rëndësishme ruajtjen e vigjilencës së komunitetit ndaj çdo forme dhune apo ngacmimi kundrejt vajzave, për të mos pritur që krimi i rradhës të ndodh për të reaguar. Me hashtagun #Kamez postuan në eventin e krijuar në rrjetet sociale edhe shumë qytetarë të tjerë nga bashkitë e Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Shkodrës, Pukës e Pogradecit.

Kjo është një formë e veçantë proteste, ku nëpër pankarta janë shkruar mesazhe të shumta dhe kaq reale për kohën. Gjithashtu në faqen në Facebook, janë publikuar mbi 200 slogane në vetëm një orë për të sensibilizuar shoqërinë.


Shtuar 11.06.2020 15:26