“Djali ka qenë kandidat për kryetar të PD-së në Lezhë”, flet polici pas tritolit në banesë: Nuk kemi konflikt me asnjë (VIDEO)

Orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, portës së banesës së policit Zef Kola në Lezhë, i është vënë lëndë plasëse. Nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale, ndërsa policia ka njoftuar se kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.

Nuk dihet se kush është autor i kësaj ngjarjeje, por familja e policit pretendon se nuk kanë konflikt me asnjë dhe kërkojnë që ngjarja të zbardhet sa më shpejt. Ata dyshojnë se tritoli mund t’u jetë vënë për shkak se djali i policit ka qenë kandidat për kryetar të PD-së në zgjedhjet që janë zhvilluar para pak kohësh në Lezhë.

Njoftimi i policisë:

Lezhë / Informacion paraprak

Në fshatin Manati, në porten e e oborrit të banesës së shtetasit  Z. K., rreth 50 m nga godina e banesës, në anë të rrugës kryesore Manati-Lezhë, është vendosur një sasi e dyshuar lëndë plasëse e cila ka shpërthyer duke dëmtuar një seksion të portës.

Në vendngjarje po mbërrijnë specialistë të Njësisë Antieksploziv, për të kryer veprimet përkatëse për përcaktimin e llojit dhe sasisë së lëndës plasëse.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes, vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje./albeu.com