Veliaj: Krenar për Tiranën, pas përgjumjes 4 vjeçare të PD sot ka një boom zhvillimi

Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj deklaroi se ndihet krenar për Tiranën e sotme e cila  prodhon 60 përqind të ekonomisë së vendit.

Në emisionin ‘Opinion”, Veliaj tha se qyteti pas përgjumjes 4-vjeçare të drejtimit nga PD, ka një boom të zhvillimit.

Unë jam sot shumë krenar për privilegjin dhe mundësinë që kam pasur të drejtoj Tiranën me një skuadër fantastike dhe mënyra si kemi konceptuar edhe panelin sot, patjetër unë si titullari politik, të jap llogari dhe të shpalos vizionin por sot Tirana është kryeqyteti evropian i Sporteve, vjet ka qenë Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Sot më në fund kemi një Tiranë e cila nuk është fundi i botës, nuk është kryeqyteti i Koresë së Veriut të Evropës. Është një qytet që sot ka vërtet reputacion. Po të shikoni edhe ekon dhe jehonën që ka ardhur nga shumë aktivitete të ndryshme si Samiti i Bashkimit Evropian, siç mund të kenë qenë këto tituj për Tiranën. Vitin tjetër Tirana do jetë Presidenca e B40, Forumit më të madh të qyteteve të Ballkanit Jugor, një organizatë që e kemi bashkëthemeluar. Qyteti ka pasur edhe përgjumje të madhe, ka pasur edhe vite ku nuk u ndërtua asnjë shkollë, kopsht, çerdhe. Sot jam krenar për këtë gjë që kemi bërë ne dhe për këtë rrugëtim të Tiranës që ka reputacion, që ka më shumë turizëm. Sot Tirana ka mbi 60 % të ekonomisë së vendit dhe sot Tirana ka pësuar një boom të zhvillimit dhe sot është lokomotiva që tërheq gjithë Shqipërinë përpara”, tha Veliaj.


Shtuar 27.04.2023 21:56