Shkatërrohet banda e “skifterëve” shqiptarë në Athinë, në krye një grua, mbi 230 mijë euro të vjedhura

Një bandë shqiptarësh, të cilët kryenin vjedhje nëpër shtëpi në Atikë, u shpërbë të enjten (4 maj), nga Nëndrejtoria e Sigurisë së Atikës Verilindore.

Gjatë operacionit u arrestuan gjashtë persona.

Ndaj të arrestuarve, është ngritur aktakuzë për organizatë kriminale dhe vjedhje, ku vlera totale e sendeve të vjedhura kalon shumën 120.000 euro.

Në dosje janë përfshirë edhe tre anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët janë identifikuar dhe janë në kërkim.

Nga hetimet policore, deri më tani janë zbuluar 20 raste vjedhjesh, nga të cilat një në tentativë, ndërsa përfitimi total financiar i realizuar nga grupi kriminal vlerësohet nga ELAS mbi 230.000 euro.

Sipas ELAS-it, të pandehurit, aktivë që prej majit 2022, vëzhgonin fillimisht objektivat e tyre një ditë më parë dhe më pas hartonin një plan veprimi për të siguruar arratisjen e tyre në kohë.

Në orët e pasdites ose të mbrëmjes, ata u afroheshin shtëpive që kishin synuar, me një makinë, e cila zakonisht merrej me qira dhe vazhdonin të depërtonin duke thyer xhamat apo dyert e ballkonit.

Sipas ELAS-it, të pandehurit nuk hoqën dorë nga përpjekjet edhe nëse binte alarmi. Në fakt, nëse plaçka që synonin të merrnin nga një shtëpi ë ishte e rëndësishme, ata provonin sërish.

Bëhet e ditur se në krye të bandës ishte një grua, e cila duke përfituar nga fakti se nuk ishte me precedent penalë, kanalizonte mallin e vjedhur në dyqane pengjesh, për të mbledhur paratë dhe për t’ia shpërndarë anëtarëve të tjerë.

Në kontrollet e shtëpive janë gjetur dhe konfiskuar ndër të tjera pistoletë me karikator dhe 6 fishekë, jelek antiplumb, 40 ora të markave të njohura, 28 palë vathë, 39 unaza, 9 byzylykë, 36 gjerdan, varëse dhe zinxhirë floriri, 3 çanta dizajner, 6795 euro, 20 celularë, 3 thika, 0.7 gram kanabis të papërpunuar, 2 makina dhe 1 motoçikletë.

Të arrestuarit do të dërgohen në Prokurorinë Penale të Athinës./Albeu.com/


Shtuar 5.05.2023 13:23