Morën peng dhe dhunuan 47-vjeçarin në Kombinat, arrestohet një prej autorëve, në kërkim i vëllai

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 35-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij.

Sipas uniformave blu, të dy shtetasit i hoqën lirinë një 47-vjeçari,  e kanosën dhe e dhunuan atë, për t’u dhënë një shumë parash.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit se një shtetas ishte marrë me forcë nga 2 shtetas të tjerë, nga vendparkimi i një lokali në Kombinat, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u identifikuan 2 autorët e dyshuar, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi Alban Bejo, 35 vjeç, si dhe u shpall në kërkim bashkautori i dyshuar, vëllai i 35-vjeçarit, shtetasi Fatmir Bejo, 28 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, kanë marrë me forcë, me automjet, nga vendparkimi i një lokali, shtetasin Gjergji Fela., 47 vjeç, e kanë kanosur dhe e kanë dhunuar atë, me pretendimin se 47-vjeçari u kishte borxh një shumë parash.

Vijon puna për kapjen e shtetasit Fatmir Bejo.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/


Shtuar 20.04.2023 10:38