Shkrihen akujt mes Kurtit dhe Ramës, sot Samiti i Bled, dy kryeministrat të qeshur krah njëri-tjetrit

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka publikuar disa fotografi nga darka e mbrëmshme në Lubjanë të Sllovenisë, ku pjesë e këtij takimi ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mes fotove është edhe momenti kur Rama dhe Kurti përshëndeten me një shtrëngim duarsh pasuar edhe me të qeshura.

Aty shihet edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili duket se ka pasur rolin e ndërmjetësit për pajtimin Kurti-Rama.

Madje në një moment tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shihet me atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç duke biseduar, ndërsa të tjerë të pranishëm shkrepin fotografi në ambient.

Më pas, në një imazh tjetër, është po kryeministri Kurti, larg atij shqiptar, ndërsa pranë këtij të fundit  shihet kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç.

Takimi u zhvillua në darkën e mikpritjes së kryeministrit slloven, Robert Golob, në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit që pritet të mbahet sot.

Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë, është parë teksa bisedon me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, kjo pasi janë ulur afër njëri-tjetrit.

Ai ka thënë se respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke është kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

”Mesazhe inkurajuese nga Kryeministri i Sllovenisë Robert Golob mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor. Unë i bëra jehonë thirrjes për një qasje të bazuar në vlera ndaj anëtarësimit në BE, të fokusuar në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”, ka shkruar Kurti, në platformën X (ish-Twitter) të dielën.

Kurse, Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon ka komentuar takimin duke e quajtur “Mbledhje të madhe me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor”

“Ne duhet të mendojmë jashtë kornizave dhe të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Procesi i bazuar në vlerë na bashkon. Sllovenia do të vazhdojë të punojë shumë për ta sjellë Ballkanin Perëndimorë më afër Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fajon në platformën X.

 


Shtuar 28.08.2023 07:43