Ministrja Trençevska: Grevistëve në RMV do t’u paguhen vetëm kontributet

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, tha se se punonjësve të kopshteve të cilët janë në grevë do t’u paguhen vetëm kontributet në bazë minimale.

Trençevska shtoi se nuk bëhet fjalë për presion apo shantazh, por sipas saj është për respektim të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe të Kontratës Kolektive.

“Kontrata kolektive përcakton qartë se çfarë detyrohet në rast greve dhe çfarë detyrohet punëdhënësi.E njëjta gjë përcaktohet edhe në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës ku thuhet se në kushte greve punëdhënësi është i obliguar që të gjithë ata punëtorë që janë në grevë t’u paguajë kontributet në bazën më të ulët për pagesën e kontributeve. Neni tjetër i ligjit, 241, i jep mundësi SASHK-ut që të gjithë ata punëtorë që janë në grevë t’u sigurojë pagesë neto. Prandaj besoj se bëhet fjalë për respektimin e ligjit dhe marrëveshjes kolektive dhe jo për ndonjë presion apo shantazh nga ana e Ministrisë ndaj kopshteve, gjegjësisht punonjësve që janë në grevë”, tha Trençevska.

Nga ana tjetër ajo pretendoi se nëse nënshkruan pagesën e pagave për grevistët, mund të përballet me akuza penale./albeu.com/