Luiza Gega rrëfen emocionet pasi u shpall kampione Europe: E lumtur që shqiptarët janë ndjerë krenarë për mua

Më 20 gusht, vajza e artë, Luiza Gega na bëri të gjithëve krenarë pasi u shpall kampione Evrope në 3,000 metra me pengesa.

E ftuar në emisionin “Log.”, në Abc, me gazterin Endri Xhafo, kampionia ka treguar se si po e përjeton famën. Gega u shpreh e emocionuar dhe e lumtur që arriti të bënte Shqipërinë dhe shqiptarët krenarë.

Nga ana tjetër, trajneri i saj Taulant Stërmasi, ka rrëfyer se Luiza ka fituar një garë të vështirë për shkak të kushteve atmosferike ku u zhvillua.

Gega: Në Shqipëri nuk mbaj mend të kem dhënë autografe. Ata në Berlin më prisnin para hotelit. Ajo që më bën përshtypje është se ata kishin fotot e mia. Është një emocion shumë i madh kur vlerësohesh edhe nga njerëz që nuk janë shqiptarë.

Moralisht ndihem shumë më e vlerësuar kur dal jashtë, kur shkoj në aktivitete. Ata ndoshta kanë një kulturë më të madhe për sportin dhe kanë një vlerësim më të madh për sportistët. Jam shumë e lumtur jo vetëm që dola kampione Evrope por sepse njerëzit janë ndjerë shumë krenarë për mua.

Stërmasi: Nga fillimi në fund e dominojmë garën. Dy xhirot e fundit ishin vendimtaret sepse kushdo kundërshtar do të luftonte në atë fazë. Asnjë sportist tjetër nuk ka vrapuar më shpejt se Gega në këtë kampionat. Nuk është kaq e shpeshtë të thyhet rekordi. Mënyra si u zhvillua gara, lagështia ishte 95%, nuk ka më lart se kaq dhe kjo e bënte të vështirë garën të arrinte rezultat të lartë.


Shtuar 6.09.2022 22:57