Flick i pandalshëm në sezonin debutues, udhëhoqi Bayernin drejt titullit

Kur drejtuesit e Bayernit e emëruan Hansi Flickun si trajner të përkohshëm për të zëvendësuar Niko Kovaçin e shkarkuar në nëntor, askush nuk ka besuar se ai do të udhëheq skuadrën drejt titullit rekord.

Por 55-vjeçari që ka luajtur për Bayernin si mesfushor, ishte i furishëm në edicionin debutues dhe siguroi trofeun e parë të martën mbrëma kur Bayerni fitoi 1:0 ndaj Werder Bremenit. Për Bayernin është titulli i tetë rresht në Bundesligë.

Ai është bërë vetëm trajneri i tretë i Bayernit që ka fituar titull edhe si lojtar. Franz Beckenbauer dhe Kovaç e kanë arritur këtë më parë.

Me Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve për t’u vendosur, trofe të tjerë mund të fitohen nga Bayerni.

“Prej se Hansi Flick mori drejtimin e skuadrës, ne po luajmë futboll atraktiv dhe të suksesshëm”, ka thënë shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.

“Ne vetëm mund t’i japim atij dhe ekipit komplimente të mëdha. Ne duam që tifozëve t’iu japim trofe por edhe futboll të bukur. Ne ia kemi dalë në këtë”.

Para se të emërohej trajner, Flick, i njohur për planifikimin në detaje dhe analizën e përpiktë, nuk ka pasur përvojë si trajner në Bundesligë. Në fillim të edicionit u zgjodh befasisht ndihmës i Kovaçit. Ai ishte ndihmës i Joachim Loewit te Gjermania, ndërsa më pas ka mbajtur pozitën e drejtorit sportiv të Federatës gjermane.

Profesioni i trajnerit nuk është dukur opsion i menjëhershëm, para se ai të emërohej te Bayerni.

Por kur Kovaç u shkarkua, Flick mori drejtimin, fillimisht për dy ndeshje, para se një emër i madh të vinte. Pasi fitoi të dy ndeshjet, të dytën 4:0 ndaj Borussia Dortmundit, ai siguroi qëndrim më të gjatë.

Më pas Bayerni ishte i pandalshëm. Dhe gjëra tjera të mëdha priten prej Flickut dhe Bayernit.


Shtuar 17.06.2020 16:33