Shqiptarët po ndryshojnë? Policia: Nata e ndërrimit të viteve kaloi pa incidente

Gjatë natës së ndërrimit të viteve nuk është shënuar asnjë incident.

Policia e Shtetit ka njoftuar këtë të mërkurë se falë masave të marra para, gjatë dhe pas natës së Vitit të Ri, si dhe qytetarisë së treguar nga qytetarët, në të gjithë vendin tonë nuk është shënuar deri më tani asnjë ngjarje kriminale si dhe nuk është evidentuar asnjë konflikt me pasoja.

As aksidente rrugore me pasojë vdekjen e njerëzve fatmirësisht nuk ka pasur. Për sa i përket shoferëve të dehur, policia thotë se pas kontrolleve, duke marrë shkas nga numri i mjeteve në qarkullimi, rastet e tyre ishin minimale.

Ndërkohë, policia vijon të jetë në gatishmëri me ‘shërbim të përforcuar’ gjatë festave.

“Policia e Shtetit uron gjithë qytetarët gëzuar Vitin e Ri 2020, mirësi, paqe e begati e sa më shumë besim e bashkëpunim mes nesh, për të mirën e përbashkët”, përfundon deklarata e uniformave blu./tvklan


Shtuar 1.01.2020 13:57