Dy javë pas Kurtit, Peach takohet me Vuçiç: Diskutime për themelimin e Asosacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka njoftuar se me këtë të fundit ka biseduar për situatën në Kosovë dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Për ne mbetet çështja kyçe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç janë obligimet e marra dhe të pranuara të Prishtinës në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe siguria serbëve në Kosovë për të cilën ne presin mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shtuar ai.

Vuçiç ka pretenduar se janë rritur incidentet në Kosovë, derisa ka shtuar se “në thelb rrezikojnë sigurinë dhe mbijetesën e serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë”.

“Theksova se Serbia si gjithmonë mbetet sinqerisht e përkushtuar për ruajtjen e paqes në rajon, e dëshmuar nga iniciativat e shumta të ndërlidhjes rajonale të drejtuara nga vendi ynë”.

Kjo vizitë e Peach vjen pasi ky i fundit më 5 janar ishte në Kosovë ku ishte takuar krerët e shtetit.

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka qëndruar të enjten për një vizite zyrtare në Kosovë, ku ka takuar krerët e institucioneve – presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Emisari britanik ka përshëndetur përpjekjet për të zbutur tensionet në veriun e Kosovës, dhe ka inkurajuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në institucionet kosovare, ka njoftuar Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të ndalin ciklin e krizave dhe të retorikës së rrezikshme, dhe të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.

Peach është njoftuar nga presidentja Osmani lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa ajo ka theksuar përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të vendit për paqe dhe siguri, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.

Gjithashtu, është thënë se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst, presidentja Osmani ka kërkuar “përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Në këtë frymë, siç thuhet në njoftim, presidentja Osmani ka kërkuar që “ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori”.

Ndërkaq, në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se gjatë takimit me Stuart Peach, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe rëndësinë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.

“U diskutua edhe për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, rrezikun që paraqet për sigurinë dhe progresin ndikimi i Rusisë dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në parandalimin dhe sprapsjen e synimeve të Moskës për rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti tha se “në Kosovë ka progres demokratik, ligjor, ekonomik dhe social, që duhet të mbrohet, bashkë me partnerë dhe aleatë”.

Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021.

Asokohe, ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor./express