“Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, sot 9 vite pa Vaçe Zelën (FOTO LAJM)

Sot bëhen 9 vite nga ndarja nga jeta e Vaçe Zelës. Artistja mblly sytë për herë të fundit më 6 shkurt 2014 në Bazel të Zvicrës. Ajo mbetet një nga zërat më të njohur në historinë e këngës shqipe.

Prej vitesh ajo zotëroi skenën, si një këngëtare e papërsëritshme dhe e admirueshme për publikun. U rikthye në qytetin e lindjes, e derdhur në bronz, pranë qendrës kulturore, që mban emrin e saj. Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës me këngën “Fëmija i parë”.

U zbulua rastësisht në moshë të re në këtë qytet të Shqipërisë së mesme. Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku.

Në vitet e fundit të jetës, Vaçe Zela e reduktoi në menyrë dramatike aktivitetin muzikor. Sidoqoftë ajo mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë” nis rrugëtimi i saj në skenën e muzikës së lehtë, 1962. Por nuk mund të harrohen as këngë, si: “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tana ilegale” etj., të cilat janë pjesë e fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare.

Artistja e njohur vdiq në moshën 75 vjeçare.

Këngëtarja, e cila prej vitesh jetonte në Zvicër, ishte prej kohësh në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ajo ndërroi jetë në orën 1.00 të mëngjesit në shtëpinë e saj.