Muhabeti për paqe në Stamboll, mes kushteve ruse, fatit të Ukrainës dhe skepticizmit amerikan

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan ka organizuar sot në Stamboll një takim mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në përpjekje e sipër për të arritur një marrëveshje që do të ndalte agresionin rus. Ky takim në Stamboll i ndërmjetësuar nga kryediplomati turk, Mevlut Cavusoglu, duket të ketë qenë më produktivi që prej nisjes së bisedimeve Rusi-Ukrainë pasi Putin nisi luftën.

Edhe përkundër faktit se bisedimet ishin përfunduar një orë me herët se sa që ishte pritur, lajmet pas këtij takimi s’kanë qenë të këqija. Në sytë e BBC-së, ky është një prej momenteve më domethënëse diplomatike që kur Rusia ka filluar pushtimin.

Pala ruse ka deklaruar se do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” operacionet luftarake në drejtim të Kievit dhe Chernihivit, dhe kjo lë të kuptohet se ka lëvizje në qëndrimet e palëve, megjithatë mbetet të shihet nga afër se si një deklarim i tillë i rusëve do të implementohet në terren.

Derisa delegacioni i Ukrainës pas takimit ka shpjeguar qartë se ata duan garanci nga Perëndimi që do të ishte e barasvlershme me Artikullin e 5-të të NATO-s,  në këmbim të deklaratave për mbajtjen e një statusi neutral, gjë që është edhe kërkesa kryesore e Rusisë.

Lufta dhe agresioni rus në Ukrainë vazhdon dhe mes palëve ka një mungesë të madhe besimi, megjithatë takimi në Stamboll po shihet si një moment i rëndësishëm i përparimi nga gjithë negociatat që janë zhvilluar deri më tani.

Pas takimit ka folur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i cili ka thënë se “ne kemi parë se palët po afrohen me njëra-tjetrën në secilin hap”.

Cavusoglu ka thënë se mbetet me shpresë që takimi në Stamboll të çojë drejt një takimi në mes të ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës, e që do të rezultonte pastaj me një takim në mes të dy liderëve, kërkese kjo e Presidentit të Turqisë.

“Progresi më i madh është bërë gjatë bisedave të sotme”, ka thënë Cavusoglu.

Në këtë takim në Stamboll ka marrë pjesë edhe manjati rus, Roman Abramovich, i cili në disa momente është parë teksa ka zhvilluar biseda me pjesëmarrës larg syrit të kameras.

Megjithatë pavarësisht zhvillimeve në Stamboll, Amerika s’i zë besë Moskës. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka thënë se “ s’ka parë shenja të seriozitetit të vërtetë” lidhur me arritjen e mundshme të paqes.

Blinken i bëri komentet pas negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll dhe pas deklarimeve nga Moska se do të “ulë në mënyrë drastike” operacionet luftarake në Kiev dhe Chernihiv në mënyrë që të “rrisë besimin reciprok”.

Blinken tha se ka një ndryshim midis asaj që thotë Rusia dhe asaj që bën dhe SHBA është e fokusuar në këtë të fundit.

Ai shtoi se Rusia duhet t’i japë fund agresionit të saj tani dhe të tërheqë forcat e saj./GazetaExpress/