Veliaj: Pas zgjedhjeve çelet gara për ndërtimin e 5 shkollave në Tiranë

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj bëri me dije se në zonën midis Astirit, Kasharit dhe Yzberishtit janë gati terrenet për të ndërtuar 5 shkolla të reja.

Dy prej tyre, të inkorporuara në një kampus të ri arsimor, do të ndërtohen vetëm në Astir. Së bashku me banorë të zones, Veliaj mbolli edhe disa pemë. Ao shpjegoi se si do të zhvillohet projekti, pjesë e lotit të 5 shkollave të reja në kryeqytet, dy prej të cilave në Kashar.

“Për të gjithë qytetarët që kanë pyetur veten, ‘çfarë është ky terren ne mes te Astirit, që është ruajtur i pa ndërtuar’ sot kemi një përgjigje: do të jetë terreni i shkollës së re. Në fakt, do të kemi dy shkolla të reja: një shkollë e bashkuar, por me hyrje të veçanta, 9-vjeçarja me gjimnazin. Kush ka parë shkollën “Kristo Frashëri” dhe “Vaçe Zela” apo “Kennedy” dhe “Nënë Tereza”, e di ekzaktësisht se për çfarë po flas, për një kampus që është rreth 10 mijë metra katrorë. Është lajm i jashtëzakonshëm,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se ndërtimi i këtyre shkollave u shty për shkak të çmimeve të shtrenjtuara të materialeve të ndërtimit. “Ne patëm disa vështirësi vjet, që unë i kam pranuar edhe publikisht: rritja e çmimit të çelikut dhe të shumë prej produkteve e të artikujve, me të cilat ndërtohen shkollat, shkuan në një nivel stratosferik. Kjo do të thotë se kemi pritur për ta rilançuar garën për të ndërtuar shkolla të reja në Yzberisht, në gjithë zonën e Astirit dhe të Kasharit përsëri këtë vit. Ky është vetëm një nga tre terrenet. Në këtë terren do të kemi 9-vjeçaren dhe gjimnazin. Kemi një terren tjetër në Kashar, gjithashtu për 9-vjeçaren dhe gjimnazin dhe kemi gjithashtu, edhe një terren tjetër që është midis Lanës dhe Unazës,” deklaroi kreu i Bashkisë.

Ai tha se duke qenë se në fushatë nuk lejohen garat për ndërtime, procedurat do të përgatiten pas zgjedhjeve për të tre lotet.


Shtuar 24.04.2023 14:13