Humbja e Rusisë në Ukrainë investimi më i mirë afatgjatë për sigurinë globale

Nga Boris Johnson & Lindsey Graham “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Tashmë ka kaluar një vit që kur Vladimir Putin nisi luftën e tij brutale dhe të panevojshme kundër Ukrainës. Deri më tani ai ka dështuar. Ka dështuar të pushtojë kryeqytetin Kiev.

Nuk ka arritur të pushtojë rajonin Kharkiv, dhe as të mbajë të pushtuar Kherson-in.

Lufta e Vladimir Putin i ka kushtuar deri tani jetën e të paktën 60.000 trupave ruse. Në zonat që ka pushtuar, ai ka krijuar fusha të reja me llogore dhe pemë të shkatërruara, të ngjashme me ato të Luftës së Parë Botërore, ku muajt e përpjekjeve dhe gjakderdhjes sjellin përparime territoriale që mund të maten me metra.

Në këto kushte, ai është detyruar të ndërmarrë veprime dëshpëruese siç është dërgimi në front i të burgosurve, teksa po i mbarojnë armatimet e avancuara teknikisht që i nevojiten. Forca në dukje e pandalshme e ushtrisë ruse, po ndeshet me rezistencën e paepur të ushtrisë ukrainase.

Ne, përfaqësuesit e zgjedhur të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, e admirojmë heroizmin dhe udhëheqjen ukrainase. Megjithatë, mbetet ende e mundur që Putin të mund të arrijë diçka që mund ta quajë fitore. Duke u bazuar tek disa territore që ai ka mundur të pushtojë, ai po tenton t’i tregojë botës se kufijtë mund të ndryshohen me forcë.

Gjithçka që i duhet të bëjë për të pretenduar fitoren, është të vazhdojë politikën e tij cinike, që e ka ndjekur që nga pushtimi i tij i parë në 2014-të, dhe të përdorë territorin që kontrollon aktualisht në Ukrainë për të destabilizuar të gjithë vendin fqinj.

Për këtë arsye, në rast se trupat ruse nuk dëbohen nga i gjithë territori ukrainas, Putin do të presë kohën e tij, duke pritur që të sulmojë sërish. Ai do të vazhdojë të kërcënojë gjeorgjianët, moldavët, baltikët dhe të gjithë ata që jetojnë në periferinë e perandorisë së vjetër sovjetike.

Nëse nuk mposhtet plotësisht në Ukrainë, ambiciet revanshiste të Putin do të dalin jashtë  kontrollit tonë. Ndaj ne duhet të përshpejtojmë mbështetjen perëndimore për ukrainasit dhe t’u japim atyre atë që u nevojitet për të përfunduar punën. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë si luanë dhe merita u takon atyre.

Por nuk ka dyshim se armët perëndimore që u kemi dërguar kanë qenë të paçmueshme. Historia që na tregoi viti i kaluar, është se herët a vonë ne duhet t’u japim atyre gjithçka që u nevojitet, nga raketat anti-tank dhe deri tek tanket.

Është absurde që mbështetësit perëndimorë të Ukrainës, të vazhdojnë t’i pyesin ukrainasit – siç bënë së fundmi në Konferencën e Sigurisë së Mynihut – “Sa do të zgjasë kjo luftë?”. Përgjigja për këtë pyetje, varet në një masë të madhe nga vetë Perëndimi.

Nuk ka asnjë arsye të imagjinueshme për të vonuar dërgimin e armëve tona në Ukrainë. Këto armë – tanket Abrams, Challengers dhe Leopard – nevojiten për të bërë diferencën tani në fushën e betejës dhe jo vitin e ardhshëm. Trajnimi i pilotëve ukrainas për të fluturuar me avionë të avancuar të NATO-s është i admirueshëm.

Por pse po e bëjmë këtë para se të vendosim që t’u japim atyre avionët? Duhet ta bëjmë sa më parë këtë gjë. Sepse ukrainasit kanë treguar se çfarë mund të bëjnë. Ata kanë energjinë dhe guximin për të dëbuar ushtrinë e Putin nga tokat e tyre dhe kanë avantazhin e paçmuar psikologjik se po luftojnë për vatrën dhe shtëpitë e tyre.

Nëse do të kenë në dispozicion mjetet e duhura, duke përfshirë më shumë artileri me rreze të gjatë, ata mund të godasin urën tokësore, të ndërpresin furnizimet logjistike për Krimenë dhe t’i japin një goditje fatale forcave ruse. Pas një viti gjakderdhje, Perëndimi duhet të bëjë më shumë për t’i treguar popullit rus se çfarë po humbet nën keqqeverisjen e Vladimir Putin. Ne duhet të forcojmë sanksionet kundër naftës dhe gazit rus. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë të gjithë makinerisë së luftës së Putin dhe regjimit në Kremlin se ata do të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre.

Se nuk do të injorohen torturat, përdhunimet dhe vrasjet pa dallim që kanë kryer rusët. Ne duhet t’u tregojmë atyre se drejtësia vonon por nuk harron. Presidenti amerikan Joe Biden e bëri të qartë gjatë vizitës së tij në Kiev se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit.

Zv/presidentja Kamala Harris deklaroi të njëjtën gjë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Që të kenë kuptim deklarata, ne duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri. Ne duhet ta etiketojmë zyrtarisht Rusinë një shtet sponsor të terrorizmit, duke e vendosur në pozicionin ku i takon me të drejtë, në një listë që përfshin Iranin, Kubën, Korenë e Veriut dhe Sirinë.

Ne duhet ta cilësojmë si një organizatë terroriste grupin famëkeq dhe gjakatar të mercenarëve Vagner. Ky është një përkufizim që është shumë i merituar për të, madje i vonuar në kohë. Por mbi të gjitha ne duhet t’u dërgojmë ukrainasve gjithçka që u nevojitet për ta fituar luftën brenda këtij viti.

Vetëm duke siguruar fitoren e Ukrainës dhe dështimin përfundimtar të Putinit, ne do të bëjmë investimin më të mirë dhe më efikas në sigurinë afatgjatë jo vetëm të zonës euro-atlantike, por të gjithë botës. Ukrainasit po luftojnë më shumë sesa për lirinë e tyre. Ata po luftojnë për kauzën e lirisë në mbarë botën. Prandaj ne duhet t’u japim atyre atë që kanë nevojë. Jo muajin apo vitin tjetër, por tani. /albeu.com

Shënim:Boris Johnson, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe gjatë viteve 2019-2022. Lindey Graham, senator republikan nga Karolina e Jugut, SHBA.


Shtuar 24.02.2023 14:00

Tags: