“Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë kundër opozitës”, Berisha: Ka vënë në rrezik sigurinë e SHBA dhe NATO-s

Pas tensioneve të shumta me të cilat u shoqërua seanca e sotme parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur për mediet jashtë ambienteve të Kuvendit.

Ai deklaroi se kryeministri Edi Rama, i cili nuk ishte i pranishëm sot në sallën e Kuvendit e ka përdorur ish-agjentin e FBI-së si “vrasës me pagesë” kundër opozitës.

Sipas tij, pas rrëzimit të kërksës së PD-së nga mazhoranca për zhvillimin e mocionit me debat për akuzën ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së, nuk mund të ketë më punime normale në seancë plenare.

Berisha: Parlamenti refuzoi kërkesën legjitime të një grupi deputetësh për të zhvilluar debat për një çështje që ka tronditur gjer në palcë vendet e lira. Imagjinoni ju se në çfarë afere është e implikuar Shqipëria. Imagjinoni ju se si ky kryeministër me veprimet e tij ka vënë në rrezik sigurinë e SHBA dhe NATO-s. Imagjinoni ju një vrasës me pagesë që merr para nga kryeministri për të vrarë opozitën shqiptare. Ne këtë nuk e kalojmë. Edi Rama është sot njeriu më i inkriminuar në Europë dhe më gjerë. Unë kam bindjen më të thellë se drejtësia amerikane do të thotë fjalën e saj ndaj këtij krimineli. Para saj duhet të flasin shqiptarët, duhet të flasë Parlamenti. Edi Rama me dy bashkëpunëtorë ka trajtuar si aset privat shefin e kundër zbulimit të FBI. Jemi në një situatë më të jashtëzakonshme që mund të kemi qenë ndonjëherë.

Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë për të falsifikuar, për të trilluar kundër opozitës shqiptare. Kjo përbën një megakrim, një krim ndërkombëtar për të cilin ne do të kërkojmë nga autoritetet amerikane që t’i japin dënimin më të rëndë. Deripaska ëhstë një nga kompanitë sot më të fuqishme dhe prezentë në Shqipëri. Është një nga kompanitë e cila ka përfituar statusin e investitorit strategjik, ka përfituar tendera nga FSHZH, ka përfituar tendera për kanalizime. Deripaska është miku numër 1 i Vladimir Putinit, është rekrutuesi i McGonigal. A u takua Rama- McGonigal dhe Deripaska, këto do t’i sqarojë drejtësia.

Ky Parlament nuk zhvillon dot më punime pa u ndalur në diskutimin e kësaj afere të tmerrshme që ka goditur rëndë Shqipërinë në opinionin publik amerikan dhe perëndimor.

/Albeu.com/


Shtuar 26.01.2023 12:32