Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, e ka detyruar Gjermaninë të ndryshojë mendje mbi rolin e saj në botë

Nga Annalena Baerbock “The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Aftësia për të befasuar, nuk është ndoshta gjëja e parë që njerëzit e lidhin zakonisht me gjermanët. Por duke parë drejtimin që ka marrë vendi ynë që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, ndoshta ne gjermanët kemi arritur të befasojmë edhe veten tonë.

Vetëm 2 vjet më parë, miliarda metra kub gaz mbërrinin nga Rusia në Gjermani përmes “Nord Stream 1” dhe linjave të tjera. Lëndët djegëse fosile ruse, përbënin një pjesë të madhe të konsumit tonë të energjisë. Sot e kemi ulur në zero.

Vetëm dy vjet më parë, ideja që vendi ynë të dërgonte tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe topa në një zonë lufte dukej e largët, për të thënë minimumin. Sot, Gjermania është një nga furnizueset kryesore të armëve për vetëmbrojtjen e Ukrainës.

Pra ka jo vetëm një ndryshim epokal në lidhje me mënyrën se si vendi im i percepton kërcënimet ndaj sigurisë së vet, por edhe tek mënyra se si e kuptojmë përgjegjësinë tonë në botën e sotme: si një vend udhëheqës tek i cili mund të mbështeten partnerët tanë.

Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore të shkaktuara nga gjermanët, politika e jashtme e vendit tonë u drejtua nga premisa se lufta nuk duhet të burojë më kurrë nga territori gjerman. Në fazën e parë të politikës së jashtme pas vitit 1945, vendi im u përpoq të rifitonte besimin e ish-armiqve.

Ne u jemi përgjithmonë mirënjohës që ata na e zgjatën dorën, duke na ri-pranuar në skenën globale. Zhvillimet e dekadave në vijim janë shumë komplekse për t’u përshkruar që të gjitha në pak radhë. Megjithatë, për mua ka disa piketa kryesore.

Për dekada të tëra, qeveritë gjermane ndoqën atë që u bë e njohur si “diplomacia e çeqeve”, pra besimi se paratë dhe jo ushtarët tanë duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e konflikteve. Vitet 1990 sollën një fazë të tretë, që fillimisht u konkretizua tek pjesëmarrja në misionet e udhëhequra nga OKB-ja dhe më pas – të nxitur nga imazhet e tmerrshme të luftërave ballkanike – shumë më fuqishëm përmes përfshirjes aktive të Gjermanisë në forcën e udhëhequr nga NATO në Kosovë.

Ky vendim nuk ishte i rëndësishëm pavarësisht historisë së vendit tonë, por pikërisht për shkak të tij. Siç e theksoi ministri i jashtëm i asaj kohe Joschka Fischer: përgjegjësia e Gjermanisë për Shoah-un nënkuptonte jo vetëm një angazhim për “kurrë më luftë”, por “kurrë më Aushvic, kurrë më gjenocid”.

Një përkushtim ndaj vlerave të Kartës së OKB-së, si dhe ndaj ligjit penal ndërkombëtar, nënkuptonte se Gjermania i ka mbështetur partnerët e saj në misionet e OKB-së në të gjithë globin. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Gjermania qëndroi përkrah SHBA-së dhe partnerëve të saj ndërsa vendosi trupat e Bundeswehr-it në Afganistan.

Por ajo që unë besoj se ka ndryshuar rrënjësisht përballë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, duke çuar në një fazë të katërt të politikës së jashtme, është mënyra se si ne i perceptojmë kërcënimet ndaj sigurisë sonë, në zemër të Evropës. Siguria jonë nuk është diçka e mirëqenë.

Për një kohë të gjatë, ne nuk i dëgjuam paralajmërimet e fqinjëve tanë lindorë, të cilët na kërkuan t’i merrnim seriozisht kërcënimet që vijnë nga Rusia. Kjo luftë na ka mësuar se “të shpresosh për më të mirën” nuk mjafton kur kemi të bëjmë me një udhëheqës gjithnjë e më autokratik.

Përveç të gjitha përpjekjeve tona për të ndërtuar një arkitekturë evropiane të sigurisë përfshirë Rusinë, as ndërveprimi ynë ekonomik dhe as ai politik nuk e anoi në asnjë moment regjimin rus drejt demokracisë.

Menjëherë pas shpërthimit të luftës, një nxënëse në Vilnius të Lituanisë, e cila jeton shumë pranë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë, më pyeti: “A mund të mbështetemi tek ju?”. Unë ju përgjigja me gjithë zemër: Po, mundesh.

Ne gjermanët nuk do të harrojmë kurrë se lirinë tonë në një vend të ribashkuar, ua detyrojmë edhe aleatëve tanë dhe fqinjëve tanë lindorë. Ashtu siç ata ishin aty për ne, edhe ne do të jemi aty për ta tani, sepse siguria e Evropës Lindore është siguria e Gjermanisë.

Ne e dimë se edhe për një të ardhme të parashikueshme, Rusia e presidentit Putin do të mbetet një kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin tonë, ndaj ne duhet të organizojmë sigurinë tonë kundër Rusisë së Putinit, dhe jo me të. Në strategjinë e parë të sigurisë kombëtare të Gjermanisë, ne përshkruajmë mënyrën se si synojmë të marrim përgjegjësinë tonë në këtë fazë të re të politikës së jashtme, në Evropë dhe më gjerë, nëpërmjet një politike të integruar të sigurisë.

Kjo do të thotë para së gjithash që ne duhet të forcojmë angazhimin në familjen tonë euroatlantike. Ne po e forcojmë NATO-n si garantuesen e sigurisë tonë kolektive. Ne po forcojmë kapacitetin tonë ushtarak me një paketë të paprecedentë prej 100 miliardë eurosh, dhe po angazhohemi për arritjen e objektivit të shpenzimeve të mbrojtjes të përcaktuar nga  NATO.

Ne po ndërtojmë një Bashkim Evropian gjeopolitik, i cili po i hap dyert për anëtarët e rinj, si Ukraina, Moldavia, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në terma afatgjatë edhe për Gjeorgjinë. Ne e mësuam me dhimbje, se siguri nuk do të thotë vetëm mbrojtje nga lufta dhe krizat, por edhe nga dobësitë ekonomike.

Vendimet se ku blejmë gazin, naftën apo teknologjinë tonë kanë pasoja për sigurinë kombëtare. Prandaj, po përgatitemi që të mos i përsërisim gabimet e së shkuarës. Rivalët tanë sistematikë po synojnë që të zgjerojnë sferat e tyre të interesit duke përdorur ndikimin e tyre ekonomik.

Ndërsa besojmë se shkëputja e plotë ekonomike nga Kina, nuk është një opsion në një botë të globalizuar, ne po përpiqemi që të eleminojmë rrezikun dhe të reduktojmë dobësitë tona. Diversifikimi është një investim tek siguria. Prandaj ne po forcojmë partneritetet tona strategjike globale.

Dhe në rast se duam që rregullat tona të përbashkëta – bazuar në kartën e OKB-së – të qeverisin botën tonë në të ardhmen, duhet të provojmë vlerën e tyre, duke gjetur zgjidhje që u shërbejnë nevojave të partnerëve tanë – për çështjet e sigurisë, tregtisë dhe luftës kundër klimës së krizës.

Nëse dështojmë në këtë aspekt, do të ndërhyjnë të tjerët që nuk ndajnë angazhimin tonë të fortë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar një ndryshim të madh në botë.

Për vendin tim, ajo ka çelur një kapitull të ri, duke ripërcaktuar mënyrën se si ne kërkojmë të promovojmë paqen, lirinë dhe qëndrueshmërinë në këtë botë: si një partner që e përqafon udhëheqjen e tij. Për disa, kjo mund të jetë befasuese. Por më e rëndësishmja, unë besoj se është një çështje përgjegjësie.

Shënim:Annalena Baerbock është Ministre e Jashtme e Gjermanisë.

/albeu.com


Shtuar 7.07.2023 14:16