Nesër zgjedhjet për kryetar bashkie në Rrogozhinë, masat e policisë për mbarëvajtjen e procesit

Nesër, 23 korrik, zhvillohen zgjedhjet për kryetar bashkie në Rrogozhinë. KQZ shpalli të pavlefshme zgjedhjet e 14 majit për bashkinë e Rrogozhinës dhe vendosi përsëritjen e tyre.

Në garë do të jenë sërish Edison Memolla i PS dhe Shkëlqim Hoxha i “Bashkë Fitojmë”. Për rrjedhojë Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe qetësisë, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Rrogozhinë, përsa i përket detyrave funksionale të Policisë, të cilat janë të parashikuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Kodin Zgjedhor.

Në Rrogozhinë janë 55 objekte zgjedhore të cilat do të merren në ruajtje nga punonjësit e Policisë të Stacionit të Policisë Rrogozhinë, me mbështetjen e punonjësve të Policisë të Komisariatit Kavajë dhe të DVP Durrës.

Është bërë instruktazhi i të gjitha forcave të Policisë, që janë të ngarkuar me detyra në kuadër të këtij procesi zgjedhor, në qytetin e Rrogozhinës. Punonjësve të Policisë iu është kërkuar të tregojnë profesionalizëm e korrektësi në detyrat e përcaktuara në planin e masave përsa i përket marrjes në ruajtje të objekteve zgjedhore, zbatimit të Kodit Zgjedhor dhe të udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./albeu.com/