Ekzekutimi i dy shqiptarëve në një kafene në Shkup, arrestohet pas 5 muajsh autori 31-vjeçar

Është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Kalanë e Shkupit në mars të këtij viti.

Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni u ekzekutuan mbrëmjen e 6 marsit në një lokal gjatë natës në Shkup. Si pasojë e ngjarjes u plagos rëndë edhe kamerieri.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në rajonin e Gazi Babës policët e Sektorit të Punëve të Brendshme në bashkëpunim me njësitin “Tigrat” dhe sektorin për bashkëpunim ndërkombëtar për bashkëpunim policor kanë kryer bastisje në shtëpinë e personit me inicialet G.M (31 vjeçar) ku dhe e kanë arrestuar.

Ky person ka qenë i kërkuar me fletarrest për vrasjen në fillim të marsit në një kafene të Shkupit. G.M është ndaluar në stacion policor dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal me procedure të shpejtuar për veprën e kryer penale “ndihmë në vrasje”, shkruan Alsat.

Vrasja e dyfishtë ndodhi më 6 mars. Në lokalin në Kalanë e Shkupit disa persona të armatosur gjuajtën me breshëri plumbash, ndërsa mbetën të vdekur Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni.

Autorët u prezantuan si policë dhe u thanë se po bënin kontrolle në bar kafenë ku ndodheshin dy të rinjtë.

Pasi gjetën “objektivat” e tyre, autorët hapën zjarr duke lënë të vdekur në vend dy të rinjtë shqiptarë. Pas ngjarjes, autorët dogjën makinën në afërsi të vendit të ngjarjes, në Çarshinë e Shkupit.


Shtuar 8.08.2023 20:38