Fillimi i negociatave për Shqipërinë dhe RMV, von der Leyen: Moment historik, sukses i qeverive tuaja

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski për nisjen e negociatave me BE, është shprehur se kjo e sotmja është një ditë historike dhe rezultat i punës së dy qeverive.

Von der Leyen tha gjithashtu se, gjatë kohës së rrugëtimit të vendeve drejt BE-së do të ketë shumë investime nga Unioni. Von der Leyen u shpreh se tashmë Shqipëria do të bashkohet me Mbrojtjen Civile Europiane.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur negociata për aderimin në BE dhe jam e lumtur që jam me ju ky është suksesi juaj, i juaj si qeveri, i qytetarëve tuaj i popullit tuaj, që keni punuar kaq shumë për të arritur deri këtu. Keni treguar këmbëngulje, keni pasur përmirësim në rrugëtimin drejt BE-së. Keni bërë shumë reforma, keni modernizuar ekonominë. Këto reforma po japin një cilësi më të mirë jetese. Së pari mbi negociatat, pas konferencës ndërqeveritare, KE dhe ekipet negociuese fillojnë punën sot. Të dinë detyrimet mbi traktatet dhe marrëveshjet europiane. Pika e dytë është që ne do të vazhdojmë të jemi më afër në fushat kyçe. Shqipëria do të bashkohet për mbrojtjen civile europiane dhe kjo do të rrisë përballjen që Shqipëria do të ketë mbi zjarret, tërmetet, në mënyrë të tillë që BE do të jetë aty dhe ta mbështesë sa herë që të ketë shkaqe të tilla. Pika e tretë, është se përfitimet do të vijojnë teksa vijoni rrugën drejt BE-së. Do të ketë investime më të mëdha nga BE. Në fund kryeministër Rama dhe Kovaçevski, ju keni treguar kaq shumë lidership vizion, keni treguar durim strategjik, jo thjeshtë kaq, por në këto kohë të sulmit brutal rus, keni treguar bashkimin tuaj me vlerat Europiane”,  tha Ursula Von der Leyen.


Shtuar 19.07.2022 09:06