Dhunë në familje dhe pa leje drejtimi, arrestohen 5 persona në Tiranë

Policia e Tiranës gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar 5 persona për vepra penale të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. M. Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi ditën e djeshme po bënte punime pa leje në banesën e tij dhe gjatë punimeve është dëmtuar shtetasi R. D., i cili ishte duke punuar në banesën e tij.

Nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6 është arrestuar në flagrancë shtetasi Y. Ç., si edhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij shtetasi M. Ç., për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi pas një konflikti për motive të dobëta, në ambientin para banesës së tyre, në Kombinat, kanë dhunuar fizikisht vëllanë e tyre shtetasin L. Ç, si edhe kunatën e tyre (bashkëshorten e L. Ç).

Policia Rrugore e Tiranës vijon punën me masa të shtuara për kontrollin e akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë vënë në pranga 3 shtetas, dy për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe një në gjendje të dehur, konkretisht:

– Në rrugën “Shefqet Ndroqi” u kap dhe u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Policisë rrugore, shtetasi A. B., banues në Tiranë, pasi drejtonte motoçikletën pa u pajisur me leje drejtimi dhe pa targa;

– Në bulevardin “Gjergj Fishta” u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasja S. M. banuese në Tiranë, pasi drejtonte mjetin pa u pajisur me leje drejtimi;

– Në rrugën “Donald Trump“ u arrestua në flagrancë shtetasi A. SH., banues në Tiranë, pasi drejtonte gjendje të dehur motorin pa targa, duke u bërë burim aksidenti.

Policia Rrugore e Tiranës do të vijojë të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme, në të gjithë qarkun, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.


Shtuar 17.02.2020 12:46