U arratis nga vendi dhe dha dorëheqjen pas protestave masive, kthehet në Sri Lanka ish-presidenti Rajapaksa

Ish-presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, i cili u largua jashtë vendit pas protestave masive në korrik, është kthyer në vend.

Rajapaksa kishte qëndruar në Tajlandë me një vizë të përkohshme dhe u kthye në shtëpi përmes Singaporit.

Disa ministra të Sri Lankës raportohet se e kanë pritur atë në aeroport.

Sri Lankezët fajësojnë qeverinë e tij për krizën më të keqe ekonomike të ishullit në histori. Një kolaps i valutës së huaj çoi në mungesa të mëdha të ushqimit dhe karburantit.

Protestat filluan në prill, pas një rritje të mprehtë të kostove të ushqimit dhe karburantit.

Qindra mijëra njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe të gjitha komunitetet morën pjesë në protestat kryesisht paqësore që kërkonin dorëheqjen e Rajapaksa dhe vëllait të tij të madh Mahinda, kryeministri i atëhershëm që dha dorëheqjen në maj.

Në korrik mijëra njerëz sulmuan rezidencën e tij zyrtare dhe presidenti i turpëruar më pas iku me një avion ushtarak fillimisht në Maldive dhe më pas në Singapor, nga ku dërgoi dorëheqjen. Kjo i hapi rrugën politikanit veteran Ranil Ëickremesinghe për t’u bërë president.

Kthimi i Rajapaksa është një çështje e ndjeshme për qeverinë e re e cila nuk dëshiron më shumë protesta dhe do të duhet të sigurojë sigurinë e tij.

“Ne nuk jemi kundër kthimit të Rajapaksa. Çdo qytetar i Sri Lankës mund të kthehet në vend,” tha për BBC At Jeeëantha Peiris, një udhëheqës i shquar i protestës.

Protestues të tjerë thonë se do të kundërshtojnë çdo përpjekje të Rajapaksa për t’iu bashkuar politikës ose qeverisë./albeu.com


Shtuar 2.09.2022 22:03